Pandat gjigante do të kthehen në Kinë pas dy dekadash në kopshtin zoologjik të Memfis
2022-12-23 14:57:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dy panda gjigante do të kthehen në Kinë pas dy dekadash në Kopshtin Zoologjik të Memfisit, në shtetin amerikan të Tenesit, pas përfundimit të marrëveshjes së huasë së pandave gjigante me Shoqatën Kineze të Kopshteve Zoologjike, bën të ditur “Xinhua”.

Pandat gjigante Ya Ya dhe Le Le do të bëjnë udhëtimin e kthimit në Kinë brenda muajve të ardhshëm, njoftoi kopshti zoologjik.

Ya Ya dhe Le Le u dërguan në Memfis në vitin 2003 dhe kontrata u rinovua në vitin 2013. Marrëveshja aktuale e huasë do të përfundojë në vitin 2023.

“Ya Ya dhe Le Le kanë qenë pjesë integrale e komunitetit të Memfis për 20 vitet e fundit dhe ne jemi mirënjohës për kohën që mundëm të kalonim me ta”,-bëri të ditur Kopshti Zoologjik në një deklaratë.

“Gjatë kohës së tyre në Kopshtin Zoologjik të Memfis, Ya Ya dhe Le Le ndihmuan projektet pioniere të kërkimit dhe ruajtjes për të mësuar të tjerët për rëndësinë e specieve të tyre”,- thuhet në deklaratë.

Kopshti Zoologjik i Memfisit gjithashtu theksoi se ka qenë një privilegj të priste këta arinj të jashtëzakonshëm dhe se ndikimi që kultura kineze ka pasur në qytetin e Memfisit do të mbahet mend përgjithmonë.

“Kanë qenë 20 vite të mrekullueshme për të nxitur këtë marrëdhënie me Ya Ya, Le Le dhe Shoqatën Kineze të Kopshteve Zoologjike dhe ne mezi presim të vazhdojmë këtë partneritet në të ardhmen”,- thuhet në deklaratë.

Dy kopshte zoologjike të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - Kopshti Zoologjik Kombëtar i Smithsonian në Uashington dhe kopshti zoologjik Atlanta në Xhorxhia - strehojnë panda gjigante. (Irma)