Stabilizimi dhe zhvillimi i ekonomisë kineze më 2023: nxitja e kërkesës së brendshme
2022-12-22 16:53:14

Me rregullimin dhe optimizimin e vazhdueshëm të masave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, tregu i konsumit në pjesë të ndryshme të Kinës po rimëkëmbet gradualisht. Tregu i turizmit që është prekur më shumë në tre vjetët e fundit, është një prej tyre.

Zheng Bin

Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Hoteleve Turistike të Guilin-it

Tani po mbërrijnë dy kulme të rëndësishme udhëtimi: Dita e Vitit të Ri dhe Festa e Pranverës. Kërkimet dhe shikimet për hotelet dhe bujtinat në Guilin janë mëkëmbur në 60 për qind të nivelit të vitit 2019. Ka një rritje të ndjeshme të rezervimeve.

Në qytetin Nankin të provincës Jiangsu në Kinën Lindore, autoritetet vendore kanë nisur "Projektin e dyqaneve të vogla" për të ndihmuar dyqanet e vogla të zgjidhin vështirësitë e financimit, të ulin kostot e funksionimit dhe të mbështesin transformimin digjital në internet.

Yang Tian

Pronari i një dyqani të vogël në Nankin

Ne morëm mbështetje nga konsumatorët në internet nëpërmjet "Projektit të dyqaneve të vogla" të platformës “Douyin” (“TikTok”). Ne gjithashtu kemi nisur aktivisht disa veprimtari preferenciale në dyqane fizike për të rritur ndërveprimin me klientët tanë.

Në Harbin të Kinës Verilindore, për të stimuluar rimëkëmbjen e tregut të automjeteve, janë dhënë subvencione për blerjen e makinave. Subvencioni maksimal arrin në 6 500 juanë për makinë.

Zhao Xingya

Drejtor i Departamentit të Administrimit të Porosive, Zyra e Tregtisë e Bashkisë Harbin

Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e sapopërfunduar e vendosi zgjerimin e kërkesës së brendshme në krye të detyrave kryesore në vitin 2023. Konferenca vjetore konsiderohet të jetë treguesi më autoritar për të gjykuar situatën e tanishme ekonomike dhe për të përcaktuar politikat makroekonomike për vitin e ardhshëm.

Lai Linyuan

Biznesmen në sektorin e ofrimit të ushqimit

Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike u theksua se Kina do t’i japë përparësi shtimit të konsumit dhe kjo më jep besim të plotë për zhvillimin e biznesit tim të vogël të ofrimit të ushqimit.

Liu Renyuan

Grupi i Investimeve i Teknologjisë së Lartë i Chengdu-së

Besimi është ajo që nevojitet më shumë për rimëkëmbjen e tregut. Deri tani tregtarët nuk guxonin të investonin shumë dhe qytetarët nuk guxonin të shpenzonin shumë. Pas lehtësimit, mund të përfytyrojmë se zhvillimi ekonomik do të hyjë në një proces përshpejtimi dhe mëkëmbjeje.

Dr. Michael Borchmann

Ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit të Hesenit në Gjermani

Kina është tregu i konsumit me potencial më të madh në botë dhe zgjerimi i kërkesës së brendshme të Kinës do të sjellë më shumë mundësi për kompanitë nga e gjithë bota për të hyrë në tregun kinez.

Pak ditë më parë, Kina publikoi "Përmbledhjen e Planit Strategjik për Zgjerimin e Kërkesës së Brendshme (2022-2035)", duke mbuluar fushat kryesore të konsumit, si pasuritë e paluajtshme, infrastrukturën, automjetet, mjekësinë dhe kujdesin për të moshuarit.

Wu Sa

Zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike pranë Akademisë Kineze të Kërkimeve Makroekonomike

Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, një model zhvillimi i kërkesës së brendshme i udhëhequr nga konsumi ka marrë formë në Kinë. Në vitet e fundit, konsumi është gjithashtu një nga fushat më të goditura nga COVID-19, por edhe fusha me më shumë hapësirë dhe potencial për të zgjeruar kërkesën e brendshme vitin e ardhshëm. Me qëllim që të arrijmë objektivin e rritjes ekonomike vitin e ardhshëm, duhet të shtojmë përpjekjet për të shtuar konsumin dhe për të rritur besimin e konsumatorit.

José Nelson Bessa Maia

Hulumtues i marrëdhënieve Brazil-Kinë

Me rregullimin dhe optimizimin e masave të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, investimet private dhe besimi i investitorëve, dy faktorët që zgjerojnë potencialin e konsumit të Kinës, do të çlirohen, duke promovuar një rimëkëmbje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse ekonomike.

Han Wenxiu

Zëvendësdrejtor i punëve të përditshme në Komitetit Qendror për Çështjet Ekonomike dhe Financiare

Pritet që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, veçanërisht në tremujorin e dytë, rimëkëmbja e prodhimit shoqëror dhe e rendit të jetës do të shpejtohet dhe gjallëria ekonomike do të çlirohet me një ritëm të përshpejtuar. (Zhan Dian/Artan)