Gjigantët e teknologjisë hedhin sytë nga realiteti virtual për mundësitë e metaverses
2022-12-21 16:03:26

Metaversja i referohet një mjedisi të përbashkët virtual ose hapësirës digjitale të krijuar nga teknologjitë duke përfshirë realitetin virtual dhe realitetin e shtuar. Kompanitë mendojnë se potenciali i metaverses do të realizohet më së miri nëse ndërtohet mbi një bazë standardesh të hapura. Sipas tyre, ndërtimi i një metaversi të hapur dhe gjithëpërfshirës në një shkallë të përhapur do të kërkojë një plejadë standardesh të hapura të ndërveprimit.

Gjigantët e teknologjisë hedhin sytë nga realiteti virtual për mundësitë e metaverses

“HTC Corp” do të përshpejtojë popullarizimin e përdorimit të teknologjisë së realitetit virtual si në tregun e konsumit ashtu edhe në tregun e ndërmarrjeve, si pjesë e ambiecies për të përdorur më mirë metaversen, tha një ekzekutiv i lartë.

Si një fjalë kryesore e teknologjisë, metaversja i referohet një mjedisi të përbashkët virtual ose hapësirës digjitale të krijuar nga teknologjitë duke përfshirë realitetin virtual dhe realitetin e shtuar.

Një vizitor luan një lojë VR në zonën e ekspozitave të HTC Corp gjatë Konvencisë Botërore 5G të 2022 në Harbin, krahinën Heilongjiang, në gusht

Një vizitor luan një lojë VR në zonën e ekspozitave të HTC Corp gjatë Konvencisë Botërore 5G të 2022 në Harbin, krahinën Heilongjiang, në gusht

Charles Huang, nënkryetar i korporatës i “HTC”, tha se ka një kërkesë në rritje për pajisjet e realitetit virtual në fusha të ndryshme, si konferencat në distancë, trajnimi, arsimi, kujdesi shëndetësor, dizajni dhe ekspozita, me pandeminë Covid-19 që forcoi aplikimin e pajisjeve të realitetit virtual (VR).

Sipas Huang, “HTC” po punon në segmentin biznes-me-biznes dhe i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me partnerët e industrisë për të zhvilluar aplikacione të reja. “Metaversja nuk është një slogan apo një e ardhme shumë e largët”,- tha Huang, duke shtuar se “HTC” po punon shumë për të forcuar shkëmbimet teknologjike dhe shkëmbimin e informacionit në metaverse dhe përpiqet të ndërtojë një ekosistem metaversi të ndërlidhur, reciprokisht të dobishëm dhe të pajtueshëm.

“HTC” ka zbuluar një platformë të hapur metaversi të quajtur “Viverse”, e cila ofron përvoja të pandërprera që janë të arritshme në çdo pajisje kudo dhe mundësohet nga realiteti virtual, realiteti i shtuar (AR), lidhje me shpejtësi të lartë, inteligjenca artificiale (AI) dhe teknologjitë “blockchain”.

Të dhënat nga konsulenca e tregut “International Data Corp” treguan se shkalla e investimeve në tregun global të AR dhe VR ishte rreth 14.67 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe pritet të rritet në 74.73 miliardë dollarë në vitin 2026, me një normë të përbërë rritjeje vjetore prej 38.5 për qind.

“IDC” bëri të ditur se shpenzimet e lidhura me teknologjinë e informacionit në tregun AR dhe VR të Kinës arritën rreth 2.13 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe pritet të rriten në 13.08 miliardë dollarë në 2026, duke e bërë atë tregun e dytë më të madh në botë.

Pedro Palandrani, analist i teknologjisë në kompaninë kërkimore “Global X ETFs”, tha se versionet e hershme të metaverses tani ekzistojnë, duke u ofruar investitorëve një paraqitje të shkurtër të potencialit të madh. Sidoqoftë, një metaverse e suksesshme pritet të shfaqë një platformë të hapur të decentralizuar të aksesuar nga syzet VR dhe të mundësuar nga teknologjia “blockchain”.

“Një përvojë vërtet zhytëse në metaverse, për shembull, përfshin të gjitha shqisat - shikimin, tingullin, prekjen, nuhatjen dhe shijen. Sot, VR kryesisht përfshin tinguj dhe imazhe”,- tha Palandrani.

Për të përshpejtuar zhvillimin e metaverses, kompanitë e tjera të teknologjisë kineze po ecin gjithashtu me shpejtësi. “Huawei” dhe “Alibaba”, për shembull, janë ndër grupet e para të kompanive, së bashku me “Meta”-n, e njohur më parë si “Facebook”, dhe “Microsoft” nga Shtetet e Bashkuara, për të formuar një grup standardesh që synon të përshpejtojë zhvillimin e metaverses.

Sipas grupit, pjesëmarrësit në Forumin e Standardeve Metaverse përfshijnë shumë nga kompanitë më të mëdha që punojnë në këtë sektor, nga prodhuesit e çipave te kompanitë e lojërave, si dhe ente për vendosjen e standardeve si konsorciumi “World Wide Web”.

“Liderët e industrisë kanë deklaruar se potenciali i metaverses do të realizohet më së miri nëse ndërtohet mbi një bazë standardesh të hapura.

Ndërtimi i një metaversi të hapur dhe gjithëpërfshirës në një shkallë të përhapur do të kërkojë një plejadë standardesh të hapura të ndërveprimit”,- bëri të ditur grupi.

Lëvizja nënkuptonte që kompanitë po garojnë për të ndërtuar konceptin e një metaverse dhe duan t'i bëjnë botët e tyre digjitale të sapolindura të pajtueshme me njëra-tjetrën, tha Pan Helin, bashkëdrejtor i Qendrës Kërkimore të Ekonomisë Digjitale dhe Inovacionit Financiar në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit të Universitetit Zhejiang.

Kjo mund ta bëjë më të lehtë për zhvilluesit të ndërtojnë të njëjtën përmbajtje për platforma të ndryshme metaverse, ose që përdoruesit të eksportojnë të dhëna nga një shërbim në tjetrin, gjë që do të ndihmojë në ndërtimin e një ekosistemi të lulëzuar në të ardhmen, tha Pan.

Shtatë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë së Kinës, duke përfshirë “Huawei”, “Tencent”, “Baidu”, “Oppo” dhe “Alibaba”, janë ndër kompanitë kryesore që kanë paraqitur aplikacionet më të shumta të patentave të realitetit virtual dhe realitetit të shtuar globalisht në dy vitet e fundit, njoftoi ofruesi i analitikës së kërkimit dhe zhvillimit me bazë në Singapor, “PatSnap”.

“Bloomberg Intelligence” parashikon se të ardhurat nga metaversja globalisht mund të arrijnë afro 800 miliardë dollarë në vitin 2024.