Udhëheqësit e Kinës dhe Australisë urojnë për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike
2022-12-21 18:07:26

Presidenti kinez Xi Jinping shkëmbeu të mërkurën mesazhe urimi me guvernatorin e përgjithshëm të Australisë David Hurley dhe kryeministrin Anthony Albanese për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Xi vuri në dukje se bashkëpunimi praktik në fusha të ndryshme ka dhënë rezultate të frytshme që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 50 vjet më parë, duke sjellë përfitime për të dy popujt.

Duke vënë në dukje që Kina e Australia janë vende të rëndësishme në rajonin e Azi-Paqësorit, Xi tha se zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve dypalëshe u shërben interesave thelbësore të të dy popujve dhe nxit paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin në rajonin e Azi-Paqësorit dhe në botë.

Kina gjithmonë i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Australinë, tha kreu i shtetit kinez, duke shprehur gatishmërinë për ta marrë 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të nxitur me Australinë partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh bazuar në respektin e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta, në interes të të dy vendeve dhe popujve të tyre.

Nga ana e tij, guvernatori i përgjithshëm i Australisë David Hurley tha se vendimi historik i marrë 50 vjet më parë ka çelur rrugën për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Australisë, duke u sjellë rritje dhe mundësi të dy vendeve.

Pala australiane është e përkushtuar për vijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme e konstruktive me Kinën në frymën e respektit të ndërsjelltë dhe përfitimeve të përbashkëta, vuri në dukje Hurley.

Po atë ditë, edhe kryeministri kinez Li Keqiang shkëmbeu mesazhe urimi me kryeministrin australian Anthony Albanese.

Duke e marrë 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një mundësi, Li shprehu shpresën se Kina e Australia do të thellojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të lidhjeve dypalëshe dhe për të sjellë përfitime për të dy popujt.

Marrëdhëniet e qëndrueshme kino-australiane u shërbejnë interesave të të dy vendeve, tha nga ana e tij kryeministri Albanese, duke shtuar se Australia po pret të punojë me Kinën për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe përfitimeve të përbashkëta.(Artan)