Ndërthurje politikash të reja për të nxitur mëkëmbjen e ekonomisë kineze
2022-12-20 19:38:59

Foto: VCG

Me publikimin e një numri politikash të reja në mbledhjen e javës së kaluar, Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, po shton përpjekjet për të siguruar një rimëkëmbje të përgjithshme vitin e ardhshëm, pavarësisht mundësisë së recesionit ekonomik global.

Sipas Konferencës vjetore Qendrore të Punës Ekonomike, Kina do të vazhdojë të zbatojë një politikë fiskale proaktive dhe politikë të kujdesshme monetare vitin e ardhshëm. Ndërkohë, Kina do të intensifikojë makrokontrollin dhe do të koordinojë politika të ndryshme për të formuar sinergji për zhvillimin me cilësi të lartë.

"Ne kemi besimin, kushtet dhe aftësinë për ta mëkëmbur ekonominë e Kinës në tërësi," tha Han Wenxiu, zv.drejtor ekzekutiv i Zyrës së Komitetit Qendror për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.

Politikëbërësit nënvizuan rolin e konsumit në mbledhjen e zhvilluar në Pekin më 15 dhe 16 dhjetor.

Kina do të fokusohet në rritjen e kërkesës së brendshme duke i dhënë përparësi rimëkëmbjes dhe zgjerimit të konsumit, duke shtuar të ardhurat personale urbane dhe rurale nëpërmjet kanaleve të shumta dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e më shumë kapitali privat në zbatimin e projekteve kryesore kombëtare, u tha në mbledhje.

Përballë amullisë së ekonomisë botërore dhe proteksionizmit në rritje, politikëbërësit përsëritën angazhimin e pandryshuar për hapjen.

Do të bëhen përpjekje më të mëdha për të tërhequr kapitalin e huaj, për të zgjeruar hyrjen në treg, për të promovuar hapjen e sektorëve modernë të shërbimeve dhe për t'u dhënë ndërmarrjeve me financim të huaj trajtim kombëtar. Kina do të kërkojë në mënyrë aktive të marrë pjesë në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorir dhe Marrëveshjen e Partneritetit të Ekonomisë Digjitale.

Long Guoqiang, nënkryetari i Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit, theksoi rëndësinë e përmirësimit të mjedisit të biznesit.

Duhet bërë më shumë për të harmonizuar rregullat ekonomike e tregtare me standarde të larta dhe për të zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale në lidhje me rregullat, menaxhimin dhe standardet, tha Long.

Si dëshmi e premtimit të hapjes së Kinës, investimet e huaja të drejtpërdrejta në pjesën kontinentale në 10 muajt e parë të këtij viti ishin 168.34 miliardë dollarë amerikanë, duke u rritur 17.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme.

Me nxitjen e hapjes, analistët besojnë se bizneset e huaja në Kinë do të gëzojnë një listë më të shkurtër negative për investimet e mbrojtje më të mirë të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe do të vazhdojnë të arrijnë zhvillim të ndërsjellë me Kinën. (Çang Çuo)