Avioni i kompanisë kineze COMAC dorëzohet për përdorim në Indonezi
2022-12-19 11:16:05

Foto: CMG

Korporata e Aviacionit Komercial e Kinës (COMAC) në pronësi shtetërore i dorëzoi avionin e saj ARJ21 kompanisë ajrore “TransNusa Airlines” të Indonezisë të dielën, njoftoi media zyrtare. Ky është avioni i parë i prodhuar nga COMAC-u që futet në një treg jashtë Kinës.

ARJ21 është avioni i parë rajonal i Kinës. Rrezja e fluturimit e një avioni standard ARJ21 është 2 225 km deri në 3 700 km, duke shërbyer kryesisht për përmbushjen e kërkesave të lidhjes midis qyteteve qendrore dhe qyteteve fqinje të mesme e të vogla, raportoi CMG-ja.

Edhe pse ARJ21 ka fluturuar në qiellin kinez që nga hyrja në shërbim në vitin 2016, kjo është hera e parë që ai eksportohet. Indonezia do të shërbejë si një pikënisje për zgjerimin e shitjeve jashtë Kinës të këtij tipi aeroplani.

Indonezia është një nga tregjet me rritje më të shpejtë të aviacionit. Për sa u përket porosive të avionëve dhe vlerës së biznesit, ajo renditet e dyta vetëm pas Kinës, sipas të dhënave nga Departamenti amerikan i Tregtisë.

Deri më tani, pothuajse 100 avionë ARJ21 u janë dorëzuar klientëve, duke fluturuar në mbi 300 linja që lidhin më shumë se 100 qytete dhe duke transportuar në mënyrë të sigurt 5.6 milionë udhëtarë, tha COMAC. (Çang Çuo)