Turqia akuzon avionët grekë për përpjekje për të bllokuar misionin e NATO-s
2022-12-19 13:00:29

Foto:Anadolu

Turqia bëri të ditur se avionët e saj luftarakë dhanë një përgjigje të nevojshme ndaj një përpjekjeje të avionëve grekë për të bllokuar një mision turko-NATO në Egje, njofton “Xinhua”.

“Aeroplanët luftarakë dhe mbështetës të Forcave tona Ajrore dhe avioni AWACS i porositur nga NATO kryen misionin stërvitor NEXUS ACE në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi detin Egje. Avionët grekë u përpoqën të bllokonin misionin i cili u përfundua me sukses, pasi avionët turq u përgjigjën”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë, dy aleatë të NATO-s, kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë ato të pakicave dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe mosmarrëveshjet detare dhe energjetike në detin Egje dhe detin Mesdhe.

Për të kërkuar zgjidhje diplomatike për çështje të tilla, të dy vendet rifilluan bisedimet e tyre konsultative në vitin 2021 pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, por afrimi ka ngecur për shkak të tensioneve të fundit midis dy palëve.

Në gusht, Turqia akuzoi Greqinë për ngacmimin e avionëve turq që kryenin misionet e NATO-s, ndërsa Greqia hodhi poshtë pretendimet.

Mbi atë që Turqia e quan një ngritje ushtarake në ishujt grekë të Egjeut pranë vijës bregdetare turke në muajt e fundit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është zotuar vazhdimisht për një përgjigje ushtarake. (Fatosi)