Eksperti: Kina pritet të përballet me tre valë infeksionesh Covid-19 këtë dimër
2022-12-19 14:41:09

Foto: VCG

Kina parashikohet të përballet me tre valë të përhapjes së Covid-19 këtë dimër pasi 10-30 për qind e popullsisë mund të jetë e infektuar, tha një ekspert, citon “CGTN”.

Infeksionet që përhapen në qytete janë vala e parë, e cila filloi në mes të dhjetorit dhe do të zgjasë deri në mes të janarit të vitit të ardhshëm, deklaroi Wu Zunyou, shefi epidemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në Konferencën Vjetore CAIJING.

“Vala e dytë pritet të jetë rreth fundit të janarit deri në mes të shkurtit, kur udhëtimet rriten gjatë festave të Festivalit të Pranverës, dhe vala e tretë parashikohet të fillojë në fund të shkurtit deri në mes të marsit kur njerëzit kthehen në punë nga pushimet e tyre”,- tha Wu.

Ai parashikoi se shkalla e infeksionit Covid-19 mund të arrijë 10-30 për qind këtë dimër.

Wu tha se Kina ka rritur vaksinimin dhe ka shmangur përhapjen e gjerë të varianteve të virusit më vdekjeprurës në përpjekjen e saj trevjeçare kundër Covid-19.

Mbi 90 për qind e njerëzve në Kinë janë plotësisht të vaksinuar.

Wu tha gjithashtu se shkalla e rasteve të rënda të COVID-19 në Kinë ka rënë ndjeshëm nga 16.47 për qind në vitin 2020, 3.32 për qind në vitin 2021 në 0.18 për qind këtë vit. (Fatosi)