Rama: Nis faza e parë e gërmimeve për Automoto Parkun në Krastë
2022-12-15 19:32:11

Nis faza e parë e gërmimeve në kantierin e Automoto Parkut në Krastë të Elbasanit. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale pamje nga kjo fazë e parë dhe përgatitjes së zonës, ku do të ngrihet projekti arkitektonik.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se projekti do të fillojë të marrë formë plotësisht sapo të mbyllet konkursi ndërkombëtar, në proces, i projektimit të pistës së garave me certifikatë nga organet e motosportit botëror.

“Ky kompleks do të jetë multifunksional, jo vetëm për gara me makina, por edhe për funksione edukative, kulturore, trajnuese si edhe rekreative, duke u kthyer në një pol të ri urban dhe burim të ri ekonomik për Elbasanin, si dhe në një destinacion të ri turistik”,- nënvizoi kryeministri Rama. (Elona)