Qarkullimi i viruseve, presion mbi sistemet e kujdesit shëndetësor të BE-së
2022-12-14 22:08:37

Viruset ne BE (Foto Xinhua)

Viruset ne BE (Foto Xinhua)

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka paralajmëruar se vendet e Bashkimit Evropian mund të përballen me një presion të fortë ndaj sistemeve të kujdesit shëndetësor në muajt e ardhshëm, raportoi “Xinhua”.

Në vlerësimin e fundit të rrezikut të publikuar të hënën, qendra tha se trysnia do të shkaktohet nga qarkullimi i njëkohshëm i virusit sincicial të frymëmarrjes (RSV), gripit dhe viruseve SARS-CoV-2.

“Sezoni festiv i fundvitit është i lidhur me aktivitete të tilla si bashkimet sociale, blerjet dhe udhëtimet, të cilat paraqesin rreziqe të konsiderueshme shtesë për transmetimin e viruseve të frymëmarrjes”, tha drejtoresha e ECDC, Andrea Ammon.

Disa vende të BE-së po përjetojnë qarkullim të lartë të RSV-së dhe numri i infeksioneve të rënda akute të frymëmarrjes po rritet gjithashtu.

Infeksionet RSV në këtë kohë të vitit nuk janë të pazakonta, por kanë ardhur më herët dhe në numër më të lartë këtë vit sesa në periudhën para pandemisë, duke prekur gjithashtu në mënyrë proporcionale më shumë fëmijë, tha ECDC.

Vendet e BE-së po përjetojnë gjithashtu një sezon të hershëm të gripit dhe një rigjallërim të mundshëm të Covid 19 pas javësh të rasteve në rënie dhe shtrimeve në spital.

Përveç rritjes së numrit të shtrimeve në spital, bashkë-qarkullimi i viruseve të frymëmarrjes mund të çojë në mungesë të stafit për shkak të pushimit mjekësor.

"Përforcimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe mbështetja e punonjësve të kujdesit shëndetësor duhet të jetë prioritet për shkak të rrezikut të presionit të rëndë mbi sistemet tona muajt e ardhshëm. Vaksinimi kundër gripit dhe Covid 19 duhet të jetë gjithashtu një prioritet midis grupeve të rrezikut",- tha Ammon. (Elona)