Kina mban përkujtimore kombëtare për viktimat e Masakrës së Nankinit
2022-12-13 15:34:21

Populli i Nankinit mbajti një minutë heshtje dhe sirenat u dëgjuan anembanë qytetit ndërsa Kina organizoi të martën ceremoninë e nëntë kombëtare përkujtimore për 300 000 viktimat e Masakrës së Nankinit.

Foto:VCG

Ceremonia përkujtimore për 300 000 viktimat e Masakrës së Nankinit, 13 dhjetor 2022, Nankin(Foto:VCG)

Ceremonia përkujtimore për 300 000 viktimat e Masakrës së Nankinit, 13 dhjetor 2022, Nankin(Foto:VCG)

Me gjithë të ftohtin e dimrit, mijëra njerëz ndoqën ceremoninë në Nankin të provincës lindore Jiangsu të Kinës, duke mbajtur lule të bardha për të shprehur ngushëllime. Flamuri kombëtar i Kinës u ngrit në gjysmështizë.

Në 10:01 të paradites, filluan të bien sirenat. Drejtuesit e automjeteve në zonën qendrore të qytetit ndaluan makinat dhe u ranë borive, ndërsa këmbësorët ndaluan një minutë në heshtje në kujtim të viktimave.

Adoleshentët lexuan një deklaratë që bënte thirrje për paqe dhe përfaqësues të qytetarëve i  ranë Kambanës së Paqes. Pëllumba të bardhë, që simbolizojnë shpresën për paqe, u ngritën në fluturim mbi sheshin e Sallës Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Nankinit nga Pushtuesit Japonezë.

Ceremonia përkujtimore për 300 000 viktimat e Masakrës së Nankinit, 13 dhjetor 2022, Nankin(Foto:VCG)

Masakra e Nankinit u krye kur trupat japoneze pushtuan qytetin më 13 dhjetor 1937 dhe gjatë gjashtë javësh, vranë më shumë se 300 000 civilë kinezë dhe ushtarë të paarmatosur në një nga episodet më barbare të Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2014, organi më i lartë ligjvënës në Kinë e caktoi 13 dhjetorin si ditën kombëtare të përkujtimit të viktimave të masakrës së Nankinit.

Shtatë të mbijetuar të masakrës u ndanë nga jeta këtë vit, duke e ulur numrin e përgjithshëm të të mbijetuarve të regjistruar në 54.(Artan)