Ambasada kineze dënon komentet e kryediplomatit britanik për Kinën
2022-12-13 19:35:46

Foto: VCG

Ambasada kineze në Britani shprehu të hënën kundërshtim të fortë ndaj komenteve të bëra në lidhje me Kinën nga sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Britanisë, James Cleverly.

Cleverly tha në një intervistë së fundmi se Kina është një vend tepër sfidues në arenën ndërkombëtare dhe se sjellja e Kinës në çështjet lidhur me Xinjiang-un dhe Hong-Kongun është "e papranueshme".

"Komentet e palës britanike janë shtrembërim i fakteve dhe shpifje kundër Kinës," u përgjigj zëdhënësi i ambasadës kineze në deklaratën e publikuar në uebsajtin e kësaj ambasade.

Zëdhënësi theksoi se Kina e ka respektuar gjithmonë sovranitetin e vendeve të tjera dhe ka kundërshtuar ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera; ka mbështetur paqen e stabilitetin dhe ka qenë kundër luftës e trazirave; ka mbrojtur dialogun e bashkëpunimin dhe u është kundërvënë konfrontimit dhe rivalitetit; ka mbrojtur multilateralizmin dhe ka qëndruar kundër unilateralizmit.

"Në të kundërt, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-ja ndërhyjnë shpesh në punët e brendshme të vendeve të tjera, krijojnë konflikte e fërkime në të tërë botën dhe praktikojnë standarde të dyfishta në çështjet ndërkombëtare. Kush po sfidon dhe minon rendin ndërkombëtar? Bashkësia ndërkombëtare mund të gjykojë drejt”, thuhet në deklaratë.

Duke vënë në dukje se çështjet mbi Xinjiang-un dhe Hong-Kongun janë punë të brendshme të Kinës, zëdhënësi tha se pala britanike nuk ka të drejtë të bëjë komente të papërgjegjshme.

Politikat e qeverisë kineze lidhur me Xinjiang-un dhe Hong-Kongun janë në të mirë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, promovimit të zhvillimit dhe arritjes së paqes e stabilitetit afatgjatë, tha zëdhënësi, duke shtuar se askush s’mund ta ndalojë popullin kinez ta administrojë vendin sipas vullnetit të vet.

Vetëm duke ndjekur parimet e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe përfitimeve të përbashkëta, marrëdhëniet kino-britanike mund të zhvillohen në një mënyrë të shëndetshme, shtoi zëdhënësi. (Çang Çuo)