Shishtaveci, xhevahir i turizmit malor
2022-12-13 14:08:51

 

Shishtaveci (Foto: ATSh)

Shishtaveci, rreth 30 km larg Kukësit, është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit malor, shkruan “ATSH”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjetet sociale pamje nga Shishtaveci, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë, sidomos në stinën e dimrit kur mbulohet edhe nga dëbora.

Kumbaro e cilësoi Shishtavecin, pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit, si një prej xhevahirëve të veriut.

Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 metra mbi nivelin e detit. Ai shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 metra lartësi.

Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Po ashtu Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe ekskursioneve. (Fatosi)