Marrëveshja për Irlandën e Veriut mund të arrihet deri në shkurt
2022-12-13 14:20:02

 Foto:VCG

Sunak në Belfast, 17 gusht 2022(Foto:VCG)

Mbretëria e Bashkuar mund të jetë afër arritjes së një marrëveshjeje të re me Bashkimin Evropian se si duhet të trajtohet tregtia që përfshin Irlandën e Veriut, shkruan “China Daily”.

Provinca, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, ndan një kufi tokësor me Republikën e Irlandës, e cila është anëtare e BE-së.

Kufiri mes tyre ka qenë një çështje e mprehtë qëkur Britania e Madhe u largua nga BE-ja në vitin 2020, sepse në të kaluarën ishte një pikë ndezje për dhunën sektare që përfshinte fraksionet që dëshironin një ishull të bashkuar dhe ata që favorizonin status quo-në.

Të gjitha palët donin të shmangnin rivendosjen e një kufiri të fortë, nga frika se do të rindezte dhunën.

Londra dhe Brukseli zyrtar ranë dakord të linin një kufi të butë, por, sipas kushteve të Protokollit të Irlandës së Veriut, mallrat që kalonin do të kontrolloheshin nga distanca.

Për më tepër, ata ranë dakord që Irlanda e Veriut do të trajtohej kryesisht, për çështjet tregtare, sikur të ishte ende pjesë e BE-së dhe jo pjesë e MB-së.

Kjo pjesë e marrëveshjes ishte e diskutueshme mes njerëzve që dëshironin që Irlanda e Veriut të trajtohej saktësisht njësoj si pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, gjë që e bëri protokollin kryesisht të pafuqishëm që në fillim.

Në fundjavë, gazeta “Sunday Times” shkroi se kryeministri britanik Rishi Sunak ishte afër arritjes së një marrëveshjeje të re me BE-në, pas bisedimeve sekrete, dhe se ajo mund të jetë në fuqi deri në shkurt. (Fatosi)