foto nga CMG
Këtë javë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës së Botës në futboll e Katarit. Me këtë rast, publiku komentoi se mediat perëndimore do të fokusohen më në fund te vetë ndeshjet. Në të vërtetë, gjatë mbi gjysmë muaji, një pjesë e mediave perëndimore nuk kanë treguar vëmendjen e duhur te ndeshjet. CNN-i dhe “The Washington Post” kanë paraqitur dyshime për të ashtuquajturin problem të punëtorëve, BBC-ja nuk pranoi të transmetonte ceremoninë e hapjes, ndërsa Londra ndaloi autobusët e saj të publikonin reklamën e Kupës së Botës...
Këto kryesisht media perëndimore, që e quajnë veten objektive dhe asnjanëse, nuk kanë përfillur përpjekjet e paepura të Katarit për organizimin e kësaj veprimtarie, si edhe forcën pozitive të solidaritetit të futbollit përballë situatës së turbullt globale, duke u gjendur në anën e kundërt të adhuruesve të futbollit në mbarë botën, shkruan Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment.
Katari është i pari vend arab që organizon Kupën e Botës në futboll. Por, që nga çasti kur paraqiti kërkesën e organizimit, ai është kritikuar në mënyrë të pabazë nga vendet perëndimore, të cilat pretendojnë se afro dhjetë mijë punëtorë kanë vdekur në Katar, duke u orvatur të bënin bojkotimin diplomatik të kësaj veprimtarie. “Politizimi” është bërë etiketë e pashmangshme e kësaj kupe, komenton CMG-ja.
foto nga CMG
Duke analizuar mediat perëndimore, shkrimtari nga Kuvajti Fawaz shkroi: “Nëse dëshiron të arrish sukses, duhet të kesh të njëjtën pamje si unë; nëse nuk je i ngjashëm me mua, do të të bëj dështak.” Fjalët e Fawaz-it na kujtojnë shumë raste të ngjashme në historinë e veprimtarive sportive, si Olimpiada Dimërore e Soçit, Olimpiada Dimërore e Pekinit... Veprimet e ngjashme të mediave perëndimore vijnë nga paragjykimi ideologjik dhe diskriminimi racial i tyre ndaj botës joperëndimore, shkruhet në komentin e CMG-së.
“Nëse vendet perëndimore tregojnë me të vërtetë vëmendje për të drejtat e njeriut të punëtorëve në vendet arabe, pse ato kanë ndezur zjarrin e luftës kudo në Lindjen e Mesme dhe kanë shkaktuar katastrofa të mëdha humanitare atje?” pyet CMG-ja. Sipas të dhënave statistikore globale, gjatë periudhës nga viti 2003 deri më 2021, Lufta e Irakut ka shkaktuar vdekjen e 209 mijë civilëve dhe 9.2 milionë irakianë janë bërë refugjatë.
Kryetari i FIFA-s Gianni Infantino tha: “Para se të akuzojmë të tjerët, ne evropianët duhet të kërkojmë falje për çfarë kemi bërë në botë gjatë 3 mijë vjetëve të kaluar.”
Sporti duhet të jetë sport. Kupa e Botës e Katarit nuk mirëpret “mbrojtësit perëndimorë të të drejtave të njeriut”. Të gjitha zhurmat dhe ndërhyrjet do të jenë të kota dhe nuk do të pengojnë forcën tërheqëse të futbollit, përfundon komenti i CMG-së.(Wang Lei/ Artan)