Kryeministri: Kina do të avancojë hapjen e nivelit të lartë, për të zgjeruar hapjen institucionale
2022-12-12 13:22:18

Foto: Xinhua

Kina do të vazhdojë të avancojë hapjen e nivelit të lartë dhe do të zgjerojë në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale dhe do të mirëpresë më shumë investitorë të huaj për të investuar dhe bërë biznes në Kinë, deklaroi kryeministri kinez Li Keqiang, njofton “Xinhua”.

Deklarata e kryeministrit Li u bë gjatë një konference shtypi pas Tryezës së shtatë “1+6” në qytetin Huangshan, provinca Anhui e Kinës lindore.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass, dhe zyrtarë të lartë të institucioneve ndërkombëtare ishin pjesë e konferencës.

Li tha se tryeza e rrumbullakët ka prodhuar shumë konsensus të ri dhe ka përcjellë besimin në ruajtjen e multilateralizmit, forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe promovimin e zhvillimit ekonomik global. Pjesëmarrësit ndanë pikëpamjen se ekonomia botërore po përballet me sfida të shumta të rënda, të cilat rrallë shihen në shumë vite dhe se vështirësitë më të mëdha kërkojnë veprime të përbashkëta të zgjeruara.

Li vuri në dukje se Kina është një përfituese dhe promovuese e hapjes globale, dhe një mbrojtëse dhe kontribuese në rendin ekzistues ndërkombëtar dhe rregullat ekonomike dhe tregtare. Kina mbështet me vendosmëri gjashtë organizatat kryesore ekonomike ndërkombëtare në shfrytëzimin e mëtejshëm të roleve të tyre si platforma për të promovuar hapje më të madhe, tha kryeministri kinez.

“Në tërësi, Kina ka arritur stabilitet në punësim dhe çmime, dhe ka mbajtur të qëndrueshme performancën e përgjithshme ekonomike. Treguesit kryesorë ekonomikë janë brenda kufijve të duhur”,- tha kryeministri Li, duke shtuar se ndërsa masat për përmirësimin e mëtejshëm të reagimit ndaj Covid-19 janë vendosur në praktikë në mënyrë graduale dhe të rregullt, rritja ekonomike e Kinës do të vazhdojë të rimëkëmbet.

Drejtuesit e organizatave ekonomike ndërkombëtare u shprehën pozitivisht për Tryezën “1+6” si një platformë e rëndësishme për shkëmbime të sinqerta dhe të thella mes palëve të ndryshme.

Udhëheqësit ranë dakord se bota ka nevojë për Kinën për zhvillimin e saj dhe Kina është një motor i rëndësishëm i rritjes globale. (Fatosi)