Foto: Xinhua
Udhëheqësit e Kinës dhe shteteve anëtare të Lidhjes Arabe pranuan të premten të forcojnë bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik kino-arab.
Në një deklaratë pas Samitit të 1-rë Kinë-Shtetet Arabe, udhëheqësit shprehën shpresën për hapjen e perspektivave më të gjera për partneritetin strategjik kino-arab.
Kina dhe shtetet arabe janë të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme nëpërmjet mekanizmave në kuadrin e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe, thuhet në deklaratë.
Të dy palët theksuan se çështja palestineze mbetet thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme. Për zgjidhjen e saj duhet të përfundojë pushtimi izraelit i territoreve palestineze, të krijohet një shtet i pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet në përputhje me rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë, e gjithanshme dhe e gjatë e çështjes palestineze mbi bazën e “zgjidhjes së dy shteteve”.
Udhëheqësit thanë se çmojnë dhe vlerësojnë Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale, të propozuara nga presidenti kinez Xi Jinping, dhe përpjekjet e Kinës për të arritur paqen e zhvillimin botëror nëpërmjet këtyre nismave, duke përfshirë edhe mbajtjen e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin Global.
Ndërkohë, të dy palët pranuan të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët kino-arabe në epokën e re.
Deklarata theksoi se shtetet arabe respektojnë me vendosmëri parimin e “Një Kine”, mbështesin Kinën në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të saj dhe ripohojnë se Tajvani është një pjesë e pandashme territoriale e Kinës.
Udhëheqësit pranuan se duhet të bëhen përpjekje rajonale e ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje politike për krizat rajonale dhe çështje të tilla si krizat në Siri, Libi e Jemen, në përputhje me rezolutat, marrëveshjet dhe parimet përkatëse ndërkombëtare.
Ata thanë se mbështesin përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës dhe për të rivendosur sigurinë e paqen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe parimet e fqinjësisë së mirë, sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, duke mbrojtur kështu interesat thelbësore të të gjitha palëve.
Të dy palët arritën gjithashtu konsensus të respektojnë zgjedhjen e pavarur të çdo vendi për të zgjedhur filozofinë e vet të zhvillimit dhe shprehën gatishmërinë për të zbatuar së bashku nismën “Një brez, një rrugë”.
Ata theksuan se bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut duhet të kryhet mbi bazën e barazisë e të respektit të ndërsjellë dhe shprehën kundërshtimin ndaj politizimit e instrumentalizimit të çështjeve të të drejtave të njeriut dhe përdorimit të tyre për të ushtruar trysni mbi vendet e tjera dhe për të ndërhyrë në punët e tyre të brendshme.
Udhëheqësit vunë në dukje gjithashtu se mbështesin një zonë të Lindjes së Mesme pa armë të shkatërrimit në masë, në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, i cili është guri themelor i regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore.
Të dy palët ranë dakord të forcojnë përpjekjet antiterroriste dhe të kundërshtojnë "standardet e dyfishta" në luftën kundër terrorizmit. Ata pranuan gjithashtu të forcojnë dialogun ndërmjet qytetërimeve dhe të kundërshtojnë islamofobinë e të gjitha formave.