10 kryevepra të letërsisë që u ribotuan gjatë vitit 2022
2022-12-12 17:31:55

Janë libra që njihen si kryevepra botërore e që në këtë vit janë ribotuar me përkthime të tjera. Ky është një fenomen që ndodh rëndom në çdo vend të botës, pasi ndryshon konteksti i lexuesit në raport me veprën, përtej interesave që mund të kenë botuesin në tregun e librit.

Për këtë arsye, shtëpitë botuese, por edhe vetë përkthyesit e shohin me vend që të ndërmarrin nisma të tilla, në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë brezave të lexuesve të cilët kanë vështirësi në receptimin sa më të mirë të veprave, sidomos atyre që kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë botërore. Fatmirësisht, gjatë këtij viti janë ripërkthyer disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, të cilat po i ndajmë me ju, duke iu referuar klasifikimit të bërë nga bukinist.al.  

1.Ripërkthimi i Don Kishtit të Mançes të Miguel de Cervantes nga gjuha orgjinale, nga spanjishtja prej përkthyesit të njohur Bajram Karabolli, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Albas. Deri më tani kjo kryevepër e letërsisë botërore ka qenë e përkthyer nga Fan Noli dhe Petro Zheji, botuar me dy vëllime nga shtëpia botuese Onufri. Vetë Noli ka pohuar se gjatë procesit të përkthimit ka bërë përshtatje, madje, edhe shkurtime. Por, përtej këtij fakti, breza të tërë lexuesish e kanë shijuar dhe përjetësuar këtë personazh të madh përmes shqipërimit të këtyre dy penave të mëdha. Përkthyesi Karabolli ka përfunduar vetëm vëllimin e parë, duke përdorur titullin “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançes”. Vëllimi i dytë pritet të dalë gjatë vitit që vjen.

 Foto: bukinist.al

2. “Uliksi” i James Joyce është një sipërmarrje tej mase e vështirë. Por, tashmë, letrat shqipe e kanë këtë kryevepër në dy përkthime. Më herët, kjo kryevepër e letërsisë së shekullit të XX është shqipëruar nga Idlir Azizi, dhe të botuar nga Zenit. Dhe së fundi, Uliksi vjen i shqipëruar nga Krenar Hajdëri, dhe i botuar nga Fan Noli. Leximi i Uliksit është një prej atyre përvojave përcaktuese që ndryshojnë përceptimin tonë rreth romanit, e njëherazi edhe vizionin tonë rreth botës. Si e tillë është një sfidë e madhe për këdo që i futet kësaj pune. Irlanda mirëpret përkthyes nga e gjithë bota dhe iu vjen në ndihmë për t’u njohur me botën Joyce-iane në mënyrë që përcjellja në gjuhët dhe kulturat e tjera të bëhet sa më e lehtë. Idlir Azizi ka kaluar një periudhë në vendin e Uliksit para se të sillte në shqip këtë kryevepër. 

3. Ripërkthimi i romanit “Vjeshta e patriarkut” të Gabriel Garcia Marquez nga Mira Meksi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Onufri. Ky ripërkthim vjen pas përkthimit që u bë gjatë viteve ’80 nga Aurel Plasari. “Vjeshta e Patriarkut”, një nga veprat më të ndërlikuara dhe ambicioze të Gabriel García Márquez, është rrëfimi brilant i një tirani karabian dhe abuzimit me pushtetin.

4. Ripërkthimi i trilogjisë “Gjeniu” nga Eris Rusi dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Ombra GVG. Më herët ky roman është përkthyer nga Mahmut Bobrati dhe ka pasur disa botime, ku së fundi kjo trilogji u botua nga Argeta LMG. Përkthimi i ri i kësaj kryevepre të letërsisë amerikane të shekullit të XX që vjen nga pedagogu dhe shqipëruesi i njohur Eris Rusi, është bërë i mundur nga gjuha origjinale në anglisht. Rusi ka punuar më shumë se katër vjet për ta përgatitur dhe sjellë për lexuesit këtë roman.

5. “Lule të këputura” i Charles Baudalaire, shqipëruar nga Ledia Shamku – Shkreli dhe botuar nga Berk. Tashmë ka tre përkthime të kësaj kryevepre të artit poetit. Më herët është përkthyer nga Dritan Thomollari dhe është botuar nga Plejad. Më pas, kjo vepër e rëndësishme poetike e letërsisë botërore është përkthyer nga gjuha origjinale nga Primo Shllaku dhe është botuar nga Albas. Së fundi, shtëpia botuese Berk ia ka besuar përkthimin e kësaj vepre poetike të vështirë gjuhëtares Ledia Shamku, e cila e ka sjellë në një titull të ndryshuar “Lule të këputura”. Njëlloj siç mbeten të amshuara edhe poezitë e Baudelaire, të cilat edhe pas 165 vitesh kanë po atë amzë magjie. Kjo përmbledhje në shqip e hedhur në qarkullim nga Berk do të kremtojë edhe 165-vjetorin e botimit të tyre për herë të parë.

 Foto: bukinist.al

6. Ardhja në shqip e “Medea-s” së Euripidit, botuar nga Argeta LMG. Më herët ka pasur edhe dy përkthime të tjera: Kjo kryevepër e letërsisë klasike greke është shqipëruar së pari nga greqishtja e vjetër nga Sotir Papahristo, në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Më pas, kjo kryevepër është përkthyer nga Leka Ndoja dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Pakti. Dhe, së fundi, Romeo Çollaku e ka përkthyer nga gjuha greke këtë kryevepër të letërsisë antike. Ripërkthimi i klasikëve në kohën tonë krijon mundësi që këto vepra të kenë mundësi që të ndërveprojnë më mirë me lexuesin e sotëm për shkak të distancës së madhe kohore dhe nevojës për t’i pajisur me një aparat shpjegues të koncepteve, miteve dhe fjalëve të rralla.

  Foto: bukinist.al

7. “Ujku i stepës” i Hermann Hesse-s. Sjellë në shqip nga Anna Kove dhe botuar nga Dukagjini. Ky është një roman – traktat estetik dhe një testament shpirtëror. Në këtë kuptim, “Ujku i stepës” ruan magjinë e letërsisë si roman, mençurinë filozofike si traktat dhe habinë e pikëllimin për fatin njerëzor si testament. Më herët ky roman është përkthyer nga gjuha origjinale nga Suzana Skënderi, dhe botuar nga Dudaj. Së fundi, edhe Ana Kove e ka sjellë nga gjuha gjermane këtë kryevepër të nobelistit Hesse në gjuhën shqipe dhe e ka botuar në Prishtinë, tek shtëpia botuese “Dukagjini”.

 Foto: bukinist.al

8. “Net të bardha” i Fjodor Dostojevskit, sjellë në shqip nga Aurel Plasari dhe botuar nga “Aleph”. Këtë kryevepër ka 4 përkthime: E ka botuar “Uegen” nën shqipërimin e përkthyesit të njohur të Dostojevskit, Jorgji Doksani. Vepra e Dostojevskit u botua nga “Argeta LMG”, nën përkthimin e Islam Spahisë. Në vitin 2017 këtë kryevepër e botoi edhe shtëpia botuese Zenit, me përkthimin e Myzejen Shapllos.

9. “Vdekje në Nil” i Agatha Christie, i botuar së fundi nga Dituria nën përkthimin e Virgjil Muçit. Kjo vepër tani ka dy përkthime. Në vitin 2005 e solli nga anglishtja në shqip Çelo Hoxha dhe e botoi Dudaj. Së fundi, ky roman policesk u përkthye nga Virgjil Muçi dhe u botua nga Dituria. Detektivi i adhuruar Herkul Puaro nis një udhëtim nëpër Egjipt, në një nga misteret më të famshme të Agatha Christie. Tashmë, ky roman ka edhe vulën e shqipëruesit të njohur Virgjil Muçi dhe prej muajit nëntor është në duart e lexuesve.

 Foto: bukinist.al

10. “Frankenshtanji” i Mery Shellit, – një nga kryeveprat e letërsisë botërore në zhanrin thriller ka më shumë se dy përkthime. Së fundi është botuar nga Univers versioni i plotë, i përkthyer nga origjinali nga anglishtja nga Altin Hoxha. Më herët është botuar nga Dritan nën përkthimin e Klodian Briçit. Shtëpia botuese Dritan ka një përshtatje për fëmijë të kësaj kryevepre. Një përrallë klasike që nuk duhet humbur kurrësesi. Frankenstein duhet të jetë një lexim i domosdoshëm për çdo adhurues të letërsisë klasike, fantashkencës dhe të thrillerit. Ky roman klasik na tregon historinë e pasojave shkatërruese për ata që ndjekin pushtetin dhe lavdinë.

Përgatiti: Neritana Kraja