Kinë-vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, konsensus për forcimin e partneritetit strategjik
2022-12-12 13:25:01

Foto: XInhua

Kina dhe vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) pranuan të premten të forcojnë marrëdhëniet e partneritetit strategjik.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas samitit Kinë-GCC të mbajtur në Riad, të dyja palet theksuan rëndësinë e futjes së marrëdhënive të partneritetit të tyre strategjik në një epokë të re në fusha të tilla si politika, ekonomia dhe kultura.

Ata bënë thirrje për mbështetje të ndërsjellë për realizimin e interesave të tyre të përbashkëta, ndërsa vendet e GCC-së thanë se do të mbështesin përpjekjet e Kinës në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe ruajtjen e sovranitetit kombëtar e të integritetit territorial. Vendet e GCC-së u zotuan gjithashtu të respektojnë parimin e “Një Kine”.

Të dyja palët vlerësuan lart suksesin e Katarit në organizimin e Kupës së Botës të FIFA-s dhe rolin pozitiv që ka luajtur ajo në promovimin e shkëmbimeve mes njerëzve, kulturave dhe qytetërimeve. Ata dënuan gjithashtu disa sulme mediatike kundër Katarit.

Udhëheqësit theksuan rëndësinë e dialogut gjithëpërfshirës që përfshin vendet e rajonit, për të trajtuar çështjen bërthamore të Iranit dhe veprimtaritë destabilizuese rajonale, për të parandaluar mbështetjen për organizatat terroriste, grupet sektare e grupet e armatosura të paligjshme, për të parandaluar përhapjen e raketave balistike e të dronave, si edhe për të garantuar sigurinë e rrugëve ujore ndërkombëtare dhe objekteve të naftës.

Ata theksuan mbështetjen e tyre për Këshillin Udhëheqës Presidencial të Jemenit të kryesuar nga Rashad Mohammed al-Alimi dhe u bënë thirrje të gjitha palëve në Jemen që të fillojnë menjëherë negociatat e drejtpërdrejta nën drejtimin e OKB-së dhe të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit.

Udhëheqësit thanë gjithashtu se mbështesin sigurinë sovrane, zhvillimin e qëndrueshëm dhe lulëzimin e Irakut, si edhe përpjekjen e tij kundër terrorizmit.

Ata theksuan gjithashtu mbështetjen e tyre për të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që synojnë lehtësimin e situatës dhe zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së, në mënyrë që të mbrohet siguria e jetës dhe pronës, si edhe të ruhet siguria dhe stabiliteti ndërkombëtar e rajonal.(Çang Çuo)