Presidenti kinez takohet me emirin e Katarit
2022-12-09 22:37:39


Presidenti kinez Xi Jinping u takua në mëngjesin e së premtes me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani.

Presidenti kinez uroi që Kupa e Botës e FIFA-s që po zhvillohet në Katar, të ketë sukses të plotë. Ai vuri në dukje se organizimi i suksesshëm i Kupës së Botës ka demonstruar aftësitë e Katarit dhe i ka sjellë energji të freskët e pozitive botën së sotme të mbushur me pasiguri. Vitin e ardhshëm do të jetë 35-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Katarit. Pala kineze është e gatshme të shfrytëzojë këtë rast për të pasuruar së bashku me Katarin konotacionin e partneritetit strategjik dypalësh, duke e ngritur këtë partneritet në nivel të ri.

Foto: CGTN

Foto: CGTN

Xi vuri në dukje më tej se Kina e mbështet me vendosmëri Katarin në ruajtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë e stabilitetit dhe vlerëson mbështetjen e Katarit mbi çështjet që kanë lidhje me interesat thelbësore të Kinës. Pala kineze e mbështet Katarin në promovimin e ndërtimit të "Vizionit Kombëtar 2030" dhe është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë tradicionale, si gazi natyror, e të energjisë së përtëritshme, si energjia diellore dhe energjia e erës, si edhe të përmirësojë nivelin e bashkëpunimit në fushën e investimeve financiare midis dy vendeve. Pala kineze mirëpret që pala e Katarit të rritë investimet në Kinë dhe është e gatshme të nxitë në mënyrë aktive shkëmbimet njerëzore dypalëshe. Bota arabe është një forcë e rëndësishme e pavarur në botën e sotme shumëpolare, vuri në dukje presidenti Xi. Kina e vlerëson Katarin për mbështetjen dhe promovimin e bashkëpunimit kolektiv Kinë-vendet arabe dhe Kinë-vendet e Gjirit dhe është e gatshme të punojë me Katarin për t’i ngritur marrëdhëniet Kinë-vendet arabe dhe Kinë-vendet e Gjirit në një shkallë të re. Po ashtu, Kina e mirëpret Katarin të bëhet një partner dialogu i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) dhe është e gatshme të mbajë komunikim të ngushtë me Katarin për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, theksoi kreu i shtetit kinez.

Emiri i Katarit e falënderoi presidentin kinez për urimet e tij për Kupën e Botës. Bota e sotme ka nevojë për Kupën e Botës të Katarit për të shfaqur aftësitë dhe pamjen e botës arabe, vuri në dukje ai. Një kompani kineze ndërmori ndërtimin e stadiumit kryesor të Kupës së Botës të Katarit, ndërsa mbërritja e dy pandave në Katar i shtoi një atmosferë festive Kupës së Botës, duke u bërë një “kartëvizitë” e re e miqësinë ndërmjet Katarit e Kinës. Sipas tij, marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar shumë mirë dhe janë arritur shumë rezultate pozitive në fushën politike, ekonomike, kulturore, sportive etj. Pala e Katarit i përmbahet me vendosmëri politikës së “një Kine” dhe kundërshton ndërhyrjen e jashtme në punët e brendshme të Kinës, dhe ky është një qëndrim i pandryshueshëm i Katarit. Katari nuk do ta kufizojë thellimin e bashkëpunimit me Kinën e do të rrisë investimet në Kinë, dhe beson se marrëdhëniet dypalëshe do të arrijnë përparim më të madh. Pala e Katarit gjithashtu vlerëson qëndrimin e drejtë afatgjatë të Kinës mbi çështjet të ndryshme, duke përfshirë çështjen e Palestinës. Emiri i Katarit shprehu gjithashtu besimin se Samiti i 1-rë Kinë-Shtetet Arabe dhe Samiti Kinë-Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit, që do të mbahen të premten pasdite, do të jenë të suksesshëm. (Li Huailiang/Artan)