Presidenti kinez Xi Jinping u takua në mëngjesin e së premtes me homologun e tij tunizian Kais Saied në kryeqytetin saudit Riad.
Presidenti kinez vuri në dukje se vitet e fundit, bashkëpunimi konkret ndërmjet Kinës e Tunizisë është forcuar përkundër prirjes së vështirësive. Kina ka kapërcyer ndikimet negative të shkaktuara nga pandemia dhe ka zhvilluar një sërë projektesh në fushën e shëndetësisë, sportit dhe trajnimit të burimeve njerëzore, duke i ofruar Tunizisë ndihmë për zhvillimin shoqëror. Pala kineze është e gatshme të vijojë bashkëpunimin e qëndrueshëm me palën tuniziane në fushat e mjekësisë dhe shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturës, teknologjisë së lartë etj., të zgjerojë shkëmbimet ndërmjet burimeve njerëzore, pushtetit vendor e në nivel joqeveritar, dhe të inkurajojë sipërmarrjet kineze të investojnë dhe zhvillojnë biznes në Tunizi. Pala kineze e mirëpret palën tuniziane që të vazhdojë të promovojë produktet e saj karakteristike në Kinë.
Foto: CGTN
Xi theksoi më tej se pala kineze e mbështet palën tuniziane të ndjekë një rrugë zhvillimi që përputhet me gjendjen e vet kombëtare. Kina kundështon ndërhyrjen e forcave të huaja në punët e brendshme të Tunizisë dhe beson se Tunizia ka mençurinë dhe aftësinë për të ruajtur qëndrueshmërinë e zhvillimin kombëtar. Kina e vlerëson lart që Tunizia i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit kolektiv ndërmjet Kinës e vendeve arabe dhe mbështet bashkëpunimin kolektiv ndërmjet Kinës e vendeve afrikane. Pala kineze është e gatshme të konsolidojë dhe thellojë me palën tuniziane marrëdhëniet e bashkëpunimit miqësor dypalësh dhe të nxitë zhvillim më të madh të bashkëpunimit kolektiv Kinë-vendet arabe dhe Kinë-Afrikë.
Presidenti tunizian Kais Saied shprehu nga ana e tij urimet e sinqerta për mbajtjen e suksesshme të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Ai tha se pajtohet me fjalët e rëndësishme të presidentit Xi Jinping. Në gjendjen e tanishme ndërkombëtare, asnjë vend nuk mund të zhvillohet i vetëm, por të gjitha vendet duhet të respektojnë njëri-tjetrin, të ecin në rrugën e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe të zgjidhin nëpërmjet bashkëpunimit problemet globale me të cilat përballen të gjithë. Kina qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë dhe barazisë ndërkombëtare, vuri në dukje Saied, duke shtuar që Nisma e Zhvillimit Global e propozuar nga presidenti Xi është plot me kujdes njerëzor e koncepte të përparuara, çka ka domethënie të madhe për të forcuar aftësinë e vendeve në zhvillim dhe për të realizuar zhvillimin e përbashkët ndërmjet vendeve të ndryshme. Tunizia dhe Kina kanë marrëdhënie miqësore dhe potenciale të mëdha zhvillimi. Kina i ka dhënë Tunizisë ndihmë të çmuar për zhvillimin shoqëror e luftën kundër pandemisë dhe Tunizia nuk do ta harrojë kurrë këtë, vuri në dukje presidenti Saied. Sipas tij, gjithnjë dhe më shumë të rinj tunizianë kanë filluar të mësojnë gjuhën kineze dhe ata besojnë që Kina do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Pala tuniziane është e përkushtuar për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të ngritur marrëdhëniet ndërmjet Tunizisë e Kinës në një nivel më të lartë. Mbajtja e Samitit të 1-rë Kinë-Shtetet Arabe ka rëndësi historike dhe pala tuniziane do të nxitë në mënyrë aktive zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve arabo-kineze, vuri në dukje presidenti tunizian. (Li Huailiang/Artan)