Kinë, regjistrohen rreth 415 milionë mjete motorike dhe mbi 500 milionë shoferë
2022-12-09 17:54:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në Kinë janë regjistruar afërsisht 415 milionë automjete dhe më shumë se 500 milionë drejtues mjetesh motorike deri në fund të nëntorit, shifra që renditen të parat në botë, sipas statistikave të publikuara të enjten nga Ministria e Sigurisë Publike (MPS), përcjellë nga “Xinhua”.

Nga drejtuesit e mjeteve të licencuara, rreth 463 milionë kanë qenë shoferë makinash, tregojnë të dhënat zyrtare.

Vitet e fundit, pronësia e automobilave në Kinë është rritur me më shumë se 20 milionë në vit, me numrin total që ka arritur në 318 milionë në fund të nëntorit, sipas ministrisë.

Drejtuesit e licencuar kinezë kanë ruajtur një rritje mesatare vjetore prej 25 milionë që nga viti 2014. Aktualisht, një në dy të rritur kinezë ka një leje drejtimi. Numri i shoferëve nën moshën 25 vjeç arriti në 54.48 milionë, duke zënë 10.9 për qind të totalit.

Numri i shoferëve të licencuar në zonat rurale në Kinë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, me një rritje vjetore prej më shumë se 13 milionë. Rreth 289 milionë banorë ruralë patën leje drejtimi, që përbën 57.8 për qind të numrit të përgjithshëm në të gjithë vendin, sipas të dhënave zyrtare.

Në të njëjtën kohë, numri i mjeteve motorike në zonat rurale arriti në 208 milionë, nga të cilat 140 milionë automobila, duke zënë përkatësisht 50.2 për qind dhe 44.1 për qind të totalit të vendit. (Irma)