Lojërat, sidomos në natyrë, ndihmojnë në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Për të pasur shëndet të mirë fizik dhe mendor dhe për të mësuar aftësi të reja për jetën, fëmijët kanë nevojë për lojëra që nga lindja deri në adoleshencë. Nëpërmjet lojës fëmijët zhvillojnë kreativitetin, imagjinatën, ndihmojnë anën emocionale, por edhe të komunikojë dhe të jenë sa më social në marrëdhënie edhe me të tjerët. Të luash do të thotë të mësosh. Shumë e rëndësishme është që kur të flisni me fëmijët tuaj, të krijoni blloqe ndërtimi për gjuhën. Duke lexuar libra, duke numëruar, duke theksuar ngjyrat, apo duke shprehur lojën që po luani me fëmijën.
Për Grupin Mediatik të Kinës, Psikologe, Klorinda Serani jep opinionin e saj në lidhje me këtë temë:
CMG: Në çfarë moshe duhen angazhuar fëmijët për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin motorik?
Klorinda Serani: Loja është një nga veprimtaritë më të mira për të mësuar apo mbështetur zhvillimin e fëmijës. Loja përmirëson mirëqënien konjitive të fëmijës, sociale dhe atë emocionale. Ndërmjet lojës fëmijët mësojnë për veten e tyre, por edhe për botën, ndërveprojnë me njëri - tjetrin, luajnë, socializohen. Loja duhet të fillojë që në moshën e hershme dhe unë mendoj se ne duhet ta lëm fëmijën që të luajë, në mënyrë që të nxisim imagjinatën e tij. Fëmija duhet të nxisë mënyrën e perceptimit, mënyrën e të parit të gjërave, mënyrën e lëvizshmërisë, gjithashtu fëmijët duhet të zhvillojnë edhe lëvizjen e syve, të ndjekjes me sy të një lodre, dallimin e ngjyrave të një objekti,etj. Shumë psikologë, logopedë dhe pediatër të ndryshëm, ndërhyjnë tek fëmija vetëm ndërmjet lojës sepse fëmija fokusohet vetëm në këtë mënyrë. Nëse kemi fëmijë që kanë problematika të ndryshme, apo diagnoza të ndryshme, pra fëmijë me mungesë përqëndrimi, mungesë të vëmendjes, hiperaktiviteti e kështu me rradhë ne ndërhyjmë këtu nëpërmjet lojës. Siç janë terapia “Aba” dhe terapi të ndryshme të përqëndrimit, ose terapi konjitive të vëmendjes, pra fëmijët nëpërmjet lojës funksionojnë në mënyrën më të mirë, si nga ana e profesionistit, por edhe nga ana e fëmijës. Gjithashtu fëmijët mësojnë edhe aftësi të tjera, ose reduktojnë pjesë të çrregullimit, mësojnë sjellje të reja. Mund të mësojnë vetëbesimin, vetëvlerësimin, elasticitetin, të përshtatjes ndaj situatës, ndërveprimin, aftësitë sociale, kuriozitet, pavarësi menaxhim i situatave të ndryshme sfiduese. Fëmija jo vetëm që ndjehet i lumtur, por krijon edhe aftësi të tjera nga loja.
CMG: Në kohët sotme shohim që shumë fëmijë të moshave të ndryshme kanë probleme me përqëndrimin. Si duhet reaguar me fëmijët e vegjël, por edhe më të rritur, të cilët e kanë mjaft të dukshëm problemin e përqëndrimit, sidomos në mësim?
Klorinda Serani: Mendoj se nëpërmjet lojës edhe prindërit mund të lidhen më tepër me fëmijët e tyre. Së pari duhet të bien dakord se çfarë loje duhet të luajnë. Pse realizohet kjo? Sepse kur ne i pyesim fëmijët se cila është loja e tyre e preferuar, që ne të luajmë së bashku? Fëmija fokusohet dhe përqëndrohet më tepër tek ajo lojë. Nëse ne luajmë me lojën që ne na pëlqen dhe fëmija nuk e luan dot pasi nuk mundet, atëherë vetëbesimi i fëmijës mund të bjerë. Pra është e rëndësishme që fëmijës ti jepet kohë, liri, pavarësi në lojë. Nëse nuk e zgjedh fëmija lojën, ai nuk do ta shijojë plotësisht lojën që ka zgjedhur prindi. Aspekti tjetër i rëndësishëm i lojës është nëse mund të nxisim fëmijën për të mësuar nëpërmjet lojës. Unë mendoj se të luash, është të mësosh. Shumë prindër e dinë se loja është shumë e rëndësishme për fëmijët, por pavarësisht avantazheve që mund të kenë, rradhë herë e përdorin lojën për të mësuar. Loja mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e trurit të një fëmije, edhe për të mësuar.
CMG: Si mund t’i vijnë në ndihmë prindërit, apo mësuesit të këtyre fëmijëve?
Klorinda Serani: Shpeshherë unë edhe në aktivitete që realizoj në ambjentin e punës ku punoj me fëmijët, e ngre zërin për t’i angazhuar sa më shumë prindërit dhe mësuesit. Sipas një studimi, aktivizimi, pra pjesa e lojës e rrit koifiçentin e inteligjencës të IQ-së tek fëmijët nga 3 vjeç e lart. Ndërsa një studim tjetër tregon se, nëse ne e nxisim fëmijën që nga fëmijëria e hershme, atëherë ky studim rrit shumë zhvillimin e trurit dhe inteligjencën e fëmijës, pra këtu e kupton se sa e rëndësishëm është dhe zhvillimi i lojës. Do të këshilloja që të zgjidhnim lojra që janë specifike për ta zgjatur në kohë këtë përqëndrim të fëmijës, që janë lojëra shumë të lehta për tu luajtur, ku do kërkoja që të jenë të pranishëm edhe prindërit. Për shembull mund të jetë një pazëll sipas moshës së fëmijës, me fotografi që duken të njëjta, por që kanë shtatë dallime të ndryshme. Kjo e ndihmon përqëndrimin e fëmijës duke dalluar imazhet nga njëra- tjetra. Një lojë që mund të jetë për të gjithë familjarët, mund të jetë loja “Bingo” që fëmija të jetë i vëmendshëm, në mënyrë që të mos humbasë asnjë numër të kësaj loje. Përshëmbull mund t’i themi fëmijës që të këndojë një këngë, kjo gjë mund t’i japi vetëvlerësim fëmijës, mund ta duartrokasim, t’i themi fjalë inkurajuese. Pra të zgjedhim lojën e duhur, në ambjentin e duhur.
CMG: Ju që punoni çdo ditë me fëmijët, cili është rezultati i punës tuaj dhe pas sa kohësh pune shihen rezultatet pozitive tek fëmija?
Klorinda Serani: Këtu mund të punohet me specialistin për t’u zgjedhur në mënyrë të mirë, që jep efikasitet dhe shohim efikasitet tek fëmijët. E theksoj se duhet të punohet shumë edhe me prindërit, gjithashtu në kopësht apo në shkollë, pra duhet të ndihmojnë të gjithë së bashku për një punë sa më efektive. Puna bëhet në varësi të diagnozës së duhur dhe rezultati patjetër që do jetë shumë pozitiv.
-Të mësuarit duke luajtur e nxit aftësinë e fëmijëve dhe aty mund të arrish të kuptosh edhe prirjet e tyre, të cilat janë themelore për të mësuarit gjatë gjithë jetës së fëmijës. Ju mund ta inkurajoni fëmijën tuaj kur mëson diçka të re, sepse në këtë mënyrë fëmija nxitet dhe shton dëshirën për të mësuar edhe më shumë herën tjetrër.
Intervistoi: Sava Lena