Ligatinat e rrafshnaltës Zoige, në qytezën Zoige të prefekturën autonome të kombësive qiang dhe tibetiane në provincën Sichuan, kanë një sipërfaqe rreth 53 000 kilometra katrorë, dhe njihen si "veshka e rrafshnaltës në Kinën Perëndimore". Misteri i "veshkave të rrafshnaltës" qëndron kryesisht në një lloj toke në ligatina - torfa.
Bao Daming, zv. drejtor i Departamentit të Menaxhimit të Ligatinave të Administratës Shtetërore të Pyjeve dhe Kullotave shprehet:
“Ne kemi vetëm rreth 1.9 miliardë tonë torfë të ruajtur në ligatinën Zoige.”
Për të mbrojtur "veshkat" e rrafshnaltës, për të ruajtur ekuilibrin ekologjik, biodiversitetin dhe burimet e specieve të rralla, autoritetet vendore kanë marrë masa për të mbrojtur mjedisin ligatinor dhe livadhet sipas kushteve lokale. Kjo zonë po promovon gjithashtu një model të ri kullotjeje që kombinon "kullotjen ricikluese, mbarështimin dhe ushqimin suplementar" për të zvogëluar dëmtimin e kullotave nga bagëtitë.
Chen Tianxiang, shefi i seksionit të kontrollit të sëmundjeve të kafshëve të Zyrës Shkencore dhe Teknologjike të Bujqësisë dhe Blegtorisë të qytezës Ruoergi shprehet: “Tradicionalisht, mund të duheshin 25 mu kullota për të mbajtur një jak, por tani 8 mu kullotë mund të mbajë një jak, dhe përfitimet ekonomike janë të konsiderueshme. Me bujqësinë tradicionale, në këtë stinë bari i kullotave mund të ishte më pak se 5 cm (i lartë).”
Në të njëjtën kohë, autoritetet në Ruoergai po zhvillojnë në mënyrë aktive industrinë e turizmit të gjelbër, duke ndërtuar një zonë demonstrimi të ekoturizmit që pasuron banorët me turizëm kulturor, duke rritur të ardhurat e fermerëve dhe barinjve vendorë dhe duke u përpjekur për të arritur synimin e kombinimit të mbrojtjes së mjedisit dhe të pasurimit të banorëve.
Nyima, pronari i kampingut të Liqenit të Hënës në Zoige, shprehet:
“Uji i kaltër dhe malet e gjelbra janë ar dhe argjend. Edhe ne iu përgjigjëm kësaj thirrjeje dhe bëmë gjëra origjinale ekologjike, në mënyrë që ata të përjetojnë më shumë pa shkatërruar kullotën ose mjedisin tonë origjinal.”
Sipërfaqja e ligatinave të Kinës arrin në 56.35 milionë hektarë, duke zënë 4 % të ligatinave në botë dhe duke u renditur e katërta në botë, ndërsa numri i përgjithshëm i zonave të mbrojtura natyrore ligatinore ka arritur në më shumë se 2200. Kina ka shpallur "Ligjin për mbrojtjen e ligatinave", i cili përfshin ligatinat e rëndësishme në vijën e kuqe të mbrojtjes ekologjike, dhe planifikon të përfshijë 11 milionë hektarë ligatina në sistemin e parqeve kombëtare. Aktualisht, ndër 43 "qytetet ligatinore ndërkombëtare" në botë, Kina ka 13, duke u renditur e para midis të gjitha vendeve.
Musonda Mumba, sekretar i përgjithshëm i Konventës së Ramsarit për Ligatinat: “Mbi 50% e ligatinave në Kinë janë në fakt nën një formë mbrojtjeje. Pra, janë ose një park kombëtar ose është një zonë e mbrojtur ose një park kulturor. Pra, ne tashmë kemi parë udhëheqjen që ka ofruar Kina."
Kryestudiuesi i ekologjisë në Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, doktor Leonid Gorobets shprehet:
“Filozofi i famshëm kinez Xunzi ka thënë se përgjegjësia e një njeriu të mençur është të ndjekë ligjet harmonike të natyrës dhe t'i përdorë ato për të mirën e qenieve njerëzore. Kështu që ne duhet të mësojmë ligjet e të jetuarit në harmoni me natyrën. Natyrisht që kjo nuk është një detyrë e lehtë. Konfuci ka folur edhe për teorinë e unitetit të njeriut dhe natyrës, gjë që tregon se ne mund të jetojmë në harmoni me natyrën.”(Zhan Dian/Artan)