Ekspertët: Mundësia për sëmundje të rëndë ose vdekje nga Omicron është e ulët
2022-12-08 18:23:27

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Me dobësimin e patogjenitetit të variantit Omicron, rritjen e vaksinimit dhe përmirësimin e përvojës së kontrollit dhe parandalimit të shpërthimit të virusit, shkalla e shtrimit në spital, sëmundshmërisë së rëndë ose fataliteteve nga Omicron është ulur ndjeshëm, thonë ekspertët.

“Varianti Omicron prek kryesisht traktin e sipërm respirator, duke shkaktuar simptoma të buta si dhembje fyti dhe kollë”, deklaroi Tong Zhaohui, zv.drejtor i Spitalit Chaoyang të Pekinit. Sipas tij, në shpërthimin e vazhdueshëm në Kinë, rastet e lehta dhe asimptomatike përbënin 90 për qind të totalit të infeksioneve dhe kishte më pak raste të moderuara, duke shfaqur simptoma të ngjashme me pneumoninë. Përqindja e rasteve të rënda, që kërkonin terapi me oksigjen me fluks të lartë ose ventilim, ishte edhe më i vogël, shkruan “China Daily”.

Sipas tij, grupet e cenueshme si të moshuarit me gjendje kronike, pacientët me kancer nën kimioradioterapi dhe gratë shtatzëna gjatë tremujorit të tretë zakonisht nuk kanë nevojë për trajtim të veçantë, pasi nuk shfaqin simptoma të dukshme pasi janë infektuar me koronavirusin e ri. Ai theksoi se stafi mjekësor do të kryejë trajtimin në mënyrë rigoroze, sipas standardeve dhe normave vetëm për ata që shfaqin simptoma ose që kanë gjetje anormale  të mushkërive.

Të dhënat nga një spital në Guangzhou, provincën Guangdong, tregojnë se gjithsej 5000 raste janë pranuar në spital që nga 22 tetori, ndër të cilët 500 raste ishin persona të moshës mbi 60 vjeç, me vetëm dy të diagnostikuar si raste të rënda. “Një studim nga një ekip ekspertësh në Guangdong përcaktoi se patogjeneza e infeksionit në këtë valë është mjaft e ndryshme nga lloji origjinal, si dhe lloji Delta që goditi provincën vitin e kaluar”,- tha Zhang Zhongde, zv.drejtor i Spitalit Guangdong i Mjekësisë Tradicionale Kineze në Guangzhou.

“Pacientët e infektuar kryesisht shfaqin simptoma si ethe, dhembje fyti, dhembje koke, dhembje muskujsh dhe kyçesh, me disa të tjerë që paraqesin simptoma gastrointestinale duke përfshirë humbje të oreksit ose diarre. Por shumica e atyre që kanë simptoma shohin lehtësim në 24 deri në 36 orë”,- tha Zhang.(Elona)