MJK: Arritjet e Kinës dhe vendeve arabe në ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" po shfaqen vazhdimisht
2022-12-08 20:00:35

foto: VCG

foto: VCG

Kina dhe Palestina nënshkruan këtë muaj një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë". Kina ka nënshkruar deri tani dokumente bashkëpunimi për nismën "Një brez, një rrugë" me 21 vende arabe dhe Lidhjen Arabe. Për këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning deklaroi në një konferencë të rregullt shtypi të enjten se vendet arabe ndodhen në kryqëzimin e "Një brez, një rrugë" dhe janë pjesëmarrëse të rëndësishme në qytetërimin e Rrugës së Mëndafshit në histori, si edhe partnere natyrore të ndërtimit të "Një brez, një rrugë". Struktura e bashkëpunimit ndërmjet Kinës e vendeve arabe lidhur me ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rruge" ka vazhduar të përmirësohet dhe rezultatet kanë vazhduar të shfaqen. Nga stadiumi “Lusail” në Katar, i cili u ndërtua nga një kompani kineze, te vendosja e transportit të drejtpërdrejtë ndërmjet Kinës e Sudanit, nga funksionimi provë i hekurudhës së parë të elektrizuar në Egjipt deri te promovimi i thelluar prej Kinës dhe vendeve arabe i modelit të bashkëpunimit "naftë dhe gaz+", Kina dhe vendet arabe kanë zbatuar më shumë se 200 projekte të mëdha në fushën e infrastrukturës dhe energjetikës, duke pasur rezultate me përfitime për afro 2 miliardë njerëz nga të dyja palët.

 “Besojmë se thellimi i vazhdueshëm i ndërtimit të përbashkët cilësor të ‘Një brez, një rrugë’ do të sjellë më shumë përfitime për popujt e të gjitha vendeve, përfshirë vendet arabe” shtoi zëdhënësja. (Zhan Dian/Artan)