Mostrat eksperimentale shkencore nga stacioni hapësinor i Kinës kthehen në Tokë
2022-12-07 16:20:40

Grupi i tretë i mostrave eksperimentale shkencore hapësinore nga stacioni hapësinor Tiangong i Kinës mbërriti në Pekin të hënën, pas kthimit të ekuipazhit Shenzhou-14.

Mostrat eksperimentale të kthyera përfshijnë tre pako të ftohta me oriz dhe Arabidopsis dhe u dorëzuan në Qendrën e Teknologjisë dhe Inxhinierisë për Përdorimin e Hapësirës nën Akademinë Kineze të Shkencave, bën të ditur “Xinhua”.

Farat për dy mostrat e bimëve iu nënshtruan një procesi kultivimi 120-ditor në Tiangong. Shkencëtarët do të analizojnë efektet që ka pasur mikrograviteti në hapësirë, sipas akademisë.

Shkencëtarët kanë marrë një sasi të madhe të dhënash përmes eksperimenteve në orbitë, të cilat do t'i ndihmojnë ata të rritin kërkimin për zhvillimin e materialeve të reja në Tokë, njoftoi akademia.

Kapsula e kthimit e anijes kozmike “Shenzhou-14”, me astronautët Chen Dong, Liu Yang dhe Cai Xuzhe, u ul në Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore të dielën, pas përfundimit të një misioni gjashtëmujor. (Elona)