Bima në anijen kozmike kineze “Shenzhou-15” fillon të rritet
2022-12-06 20:59:30

Foto: VCG

Arabidopsis thaliana në anijen kozmike kineze “Shenzhou-15” ka filluar të rritet, raportoi të hënën gazeta “China Science and Technology Daily”.

Anija kozmike “Shenzhou-15” u nis në orën 23:08 të 29 nëntorit 2022. Rreth 20 orë më vonë, astronautët kinezë e vendosën bimën Arabidopsis thaliana në një inkubator biologjik në kabinetin e eksperimenteve të jetës dhe ekologjisë brenda modulit laboratorik “Wentian” të stacionit hapësinor të Kinës.

"Ne po përdorim Arabidopsis thaliana të rritur në mikrogravitet për të eksploruar se si mjedisi i mikrogravitetit hapësinor rregullon strukturën dhe funksionin e qelizave bimore," tha Cai Weiming, studiues në Qendrën e Shërbimeve për Shkencat e Bimëve Molekulare në Akademinë Kineze të Shkencave.

Studiuesit bënë përgatitje në Tokë për më shumë se gjashtë vjet dhe shpresojnë që eksperimenti në orbitë të nxisë përmirësimin e formës së kulturave bujqësore dhe të ndihmojë në rritjen e prodhimit të tyre.

Gjatë eksperimentit hapësinor, disa gjene të Arabidopsis –it të përfshira në përgjigjen e gravitetit do të modifikohen dhe etiketohen, sipas gazetës. Kërkuesit shpresojnë të studiojnë sjelljen e gjeneve në mjedisin e veçantë të mikrogravitetit për të kuptuar më mirë funksionet e tyre biologjike.

Kur mostrat e bimëve të kthehen në Tokë, kërkuesit do të studiojnë sistematikisht efektet e mikrogravitetit hapësinor në biologjinë e bimëve nëpërmjet analizës së omiksit dhe të bashkëlidhjes së eksperimenteve të simuluara të mikrogravitetit në Tokë. (Çang Çuo)