MPJ:Zhvillimi i Kinës dhe zhvillimi i botës nxitin njëri-tjetrin
2022-12-06 18:44:31

Foto: VCG

Kina ndjek një politikë të jashtme që synon ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët dhe bën përpjekje për të zhvilluar bashkëpunim miqësor me vendet e tjera, tha në një konferencë të rregullt shtypi të martën zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning. Sipas saj, faktet kanë vërtetuar se zhvillimi i Kinës është një rritje e forcës së paqes në botë dhe një shtysë e mundësi për zhvillimin global.

Pak ditë më parë, kancelari gjerman Olaf Scholz botoi një artikull në revistën "Foreign Affairs", ku theksoi se ngritja e Kinës nuk është një arsye për ta izoluar Kinën dhe as një justifikim për të kufizuar bashkëpunimin me Kinën. Ai gjithashtu përmendi se bota nuk ka hyrë në një Luftë të re të Ftohtë dhe nuk pranoi pikëpamjen se ShBA-ja i kundërvihet Kinës.

Lidhur me këtë, zëdhënësja Mao Ning tha:

“Izolimi i Kinës dhe kufizimi i bashkëpunimit me Kinën nuk përputhen me interesat e asnjërës palë. Në botën e sotme, prirja e globalizimit ekonomik është e pakthyeshme dhe përfitimet e ndërsjella janë aspirata e të gjithë popujve. Kina është thellësisht e integruar me ekonominë botërore e sistemin ndërkombëtar dhe bota nuk do të kthehet në gjendje mbylljeje e veçimi. Asnjë vend nuk mund të zhvillohet pas dyerve të mbyllura. ‘Shkëputja’ dhe ‘ndërprerja e zinxhirëve’ e ‘oborret e vogla me mure të larta’ dëmtojnë të tjerët dhe veten.”

Mao Ning theksoi më tej se zhvillimi i Kinës nuk mund të ndahet nga bota dhe lulëzimi i botës nuk mund të ndahet nga Kina. Kina do të vazhdojë të zbatojë hapjen e nivelit të lartë dhe të ndajë mundësitë e zhvillimit me vendet e tjera.

“Siç theksoi presidenti Xi Jinping kur u takua me kryeministrin Scholz, Kina ka ruajtur dhe promovuar gjithmonë paqen botërore me zhvillimin e saj, dhe zhvillimi i Kinës e zhvillimi i botës janë të integruar dhe nxitin njëri-tjetrin,” theksoi zëdhënësja. (Çang Çuo)