Kina dhe BE – partnerë për mbrojtjen e paqes, prosperitetin ekonomik dhe zhvillimin e qytetërimit
2022-12-05 16:42:16

Kina dhe BE forcojnë partneritetin për mbrojtjen e paqes, prosperitetin ekonomik dhe zhvillimin e qytetërimit. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në datën 1 dhjetor 2022, priti në Pekin, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, shumë pak kohë pasi Partia Komuniste e Kinës përfundoi me sukses të plotë punimet e Kongresit të 20-të Kombëtar të saj dhe në këtë takim ishte shumë e dukshme se tashmë nuk ka asnjë dyshim që Kina dhe BE janë partnerë në shumë drejtime, dhe se portat e bashkëpunimit me interes dy dhe shumëpalësh janë hapur për shumë fusha të tjera.

Në marrëdhëniet transnacionale, (1) paqja në shkallë globale, (2) prosperiteti i përbashkët dhe në veçanti ai ekonomik dhe (3) zhvillimi i qytetërimeve janë fushat kryesore në të cilat Kina e shikon të arsyeshme dhe logjike që të bashkëpunohet me të gjithë.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Edhe Bashkimi Evropian piketon të ardhmen e dy qytetërimeve më të mëdha, atij kinez dhe atij evropian në një përpjekje të përbashkët paqësore për përparimin njerëzor dhe zhvillimin ekonomik në shkallë globale.

Presidenti Kinez Xi Jinping, në takimin me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel tha: “është shumë e rëndësishme që të ruajmë MOMENTUM-in, në rritje të marrëdhënieve Kinë – BE, pasi kjo është në interesat e përbashkëta të Kinës, BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe duke shfrytëzuar e menaxhuar këtë MOMENTUM, të ndjekim edhe përfitimet reciproke”.

MOMENTUM në aspektin global, ekonomik dhe zhvillimor, është një gjendje e cila lejon që proceset në të cilat palët janë përfshirë, të fitojnë më shumë vrull dhe edhe më shumë fuqi. Nëse vrulli dhe fuqia shfrytëzohen dhe menaxhohen si duhet, fitohet një volum përfitimesh të shumëanëshme nga të tëra palët e përfshira në proces dhe edhe nga të tjerët përreth.

Për të arritur dhe zhvilluar gjendjen MOMENTUM, duhet që (1) sfidat të lidhen me qëllimet, (2) të ndërtohet besimi krijues dhe (3) të mbahen në jetë projektet aktuale dhe të së ardhmes.

Duke patur parasysh këtë gjendje, Xi Jinping në takim tha: “Sa më e turbullt të bëhet situata ndërkombëtare dhe sa më të theksuara të bëhen sfidat globale, aq më e madhe do të jetë rëndësia globale e marrëdhënieve Kinë-BE”.

Edhe në aspektin historik, Kina ka patur një qasje të përhershme bashkëpunimi me Evropën, kjo pasi marrëdhëniet e saj me BE-në janë orientuar pozitivisht edhe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kinës drejt një perspektive strategjike dhe afatgjatë, që tashmë është koha të forcohet, duke vendosur me BE-në komunikim strategjik dhe koordinim, për të siguruar rritjen e qëndrueshme të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-BE.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina e shikon bashkëpunimin me BE-në kuadër të pesë tipareve të modernizimit kinez, që janë (1) rruga e socializmit me karakteristika kineze, (2) zbatimi i një filozofie zhvillimi me në qendër njerëzit, (3) përkushtim ndaj thellimit të reformës dhe hapjes dhe vendosmëri në ndjekjen e një politike të jashtme të pavarur paqeje, (4) përmbajtje e synimeve të politikës së jashtme për ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët dhe (5) përkushtim për të promovuar ndërtimin e një komuniteti njerëzor me një të ardhme të përbashkët, që sipas Xi do synohet “duke injektuar siguri dhe stabilitet të vlefshëm në komunitetin ndërkombëtar përmes stabilitetit të sistemit, qeverisjes, politikave dhe zhvillimit tone”.

Presidenti Michel në takim vuri në dukje se: “Peizazhi ndërkombëtar dhe gjeopolitika po përjetojnë ndryshime të thella dhe komplekse. Bashkësia ndërkombëtare përballet me shumë sfida dhe kriza. BE është e gatshme për diskutim të thelluar me Kinën për çështje të rëndësishme në lidhje me aspekte të ndryshme të marrëdhënieve BE-Kinë, në frymën e respektit dhe sinqeritetit të ndërsjellë, për të rritur mirëkuptimin reciprok, promovuar dialogun dhe bashkëpunimin dhe menaxhuar siç duhet dallimet, duke mbështetur politikën e një Kine, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, duke mos ndërhyrë në punët e brendshme të saj dhe duke qenë përherë e gatshme për partneritet në bashkëpunim të besueshëm dhe të parashikueshëm për Kinën, duke reduktuar keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara, përmes dialogut dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, për të forcuar komunikimin dhe koordinimin, për t’iu përgjigjur më mirë krizës së energjisë, ndryshimeve klimatike, shëndetit publik dhe sfidave të tjera globale, për të çuar përpara procesin drejt një marrëveshjeje investimi BE-Kinë, për t’i bërë zinxhirët e furnizimit më të qëndrueshëm, për të forcuar besimin reciprok dhe për të thelluar bashkëpunimin reciprok, të dobishëm, në të gjitha fushat. Sfidat aktuale janë globale dhe ato nuk mund të përballohen nga secili vend individualisht, aq më tepër që këto përballja me këto sfida nuk mund të bëhet pa Kinën”.

Pas takimit, Presidenti i Këshillit Evropian në një deklaratë për shtyp tha: “Disa javë më parë vendosa në agjendën e Këshillit Evropian një diskutim mbi marrëdhëniet BE-Kinë. Të tërë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së (27) ranë dakord mbi rëndësinë kritike të marrëdhënieve BE-Kinë. Sot, ne e dimë se bota përballet me kriza të shumta. Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë dhe ushqimit, ngadalësimi i ekonomisë globale, ndryshimet klimatike, shëndeti global, etj, që kërkojnë dialog dhe veprim. Unë besoj në fuqinë e dialogut. Kina është një lojtar global dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina ka një rol kyç për të luajtur në çështjet me interes të përbashkët. Me Kinën, angazhimi i hapur në të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona është e vetmja rrugë përpara”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duket se Samiti i ardhshëm BE-Kinë në 2023, do zhvillohet në parimet se (1) nuk ka dallime strategjike apo konflikte me rëndësi thelbësore midis Kinës dhe BE-së, (2) komunikimi dhe koordinimi në mënyrë konstruktive janë çështje të mirëdakordësuara, edhe pse Kina dhe Evropa ndryshojnë në histori, kulturë, nivel zhvillimi dhe ideologji, (3) bashkëpunimi në një nivel më të lartë ka rëndësi strategjike dhe (4) koordinimi dhe bashkëpunimi në çështjet ndërkombëtare mbetet angazhim i përhershëm.