Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel në Kinë, strategjike dhe simbolike
2022-12-05 20:56:14

 

Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian, vizitoi Kinën më 1 dhjetor duke dhënë një tjetër shenjë pozitive në rritjen e marrëdhënieve të liderëve kinezë dhe evropianë në muajt e fundit. Kjo vizitë ofroi një mundësi për të dy palët që të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre mbi bashkëpunimin efektiv për sfidat e shumta  me të cilat po përballet bota. Ishte vizita e parë e Michel në Kinë pasi ai mori presidencën e Këshillit Evropian, dhe vizita e parë në Kinë nga një president i Këshillit Evropian që nga korriku 2018. Ky ishte gjithashtu takimi i parë zyrtar midis drejtuesve të Kinës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian pas Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.

 

Kina dhe BE-ja në vitin 2022

Agjenda dypalëshe midis BE-së dhe Kinës ndër vite ka pasur shumë prioritete, në varësi  të kohërave dhe eventeve ndërkombëtare. Shpeshherë në krye të listës ka qenë ekonomia dhe disa herë gjeopolitika, dhe përherë në bazë ka qenë gjetja e mënyrave të bashkëpunimit duke pasur parasysh dallimet midis palëve. Në dialogjet midis Kinës dhe BE-së, kur në thelb ka qenë ekonomia është nënvizuar bashkëpunimi, edhe pse me shumë ngërç si në rastin e investimeve;  kur në thelb ka qenë gjeopolitika janë nënvizuar dallimet, veçanërisht nga pala evropiane. Në fund të vitit 2022, po vihet re se Evropa dhe disa nga krerët e saj po marrin një qasje tjetër kundrejt Kinës, atë për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit të tyre strategjik gjithëpërfshirës. BE-ja po lundron në ujëra të vështira, nga kriza energjetike deri të kriza e konsumit prej inflacionit dhe mbi të gjitha është nën presionin e SHBA-së për të kufizuar ndërveprimin e saj me Kinën, sidomos në sektorët e teknologjisë së lartë.

BE-ja do të duhet të bashkëjetojë me kujdes midis SHBA-së nga njëra anë dhe Kinës nga ana tjetër. Këtu shfaqet konflikti i brendshëm euroatlantik. Nga njëra anë SHBA-të kanë arritur në një përfundim se Kina është një kërcënim. Për ta Kina duhet të konsiderohet si kundërshtar dhe si e tillë duhet trajtuar, duke bërë të mundur me ritme të shpejta shkëputjen e Kinës nga partnerët e tjerë industrialë dhe tregtarë. Nga ana tjetër për BE-në një Kinë e globalizuar është më e mirë se një Kinë e shkëputur nga zinxhirët e ekonomisë globale. Interesat gjeoekonomike të Evropës janë të lidhur fort më Kinën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina dhe BE-ja janë ekonomitë e dyta dhe të treta më të mëdha në botë, me pjesën e tyre të PBB-së globale që qëndron në 18.5% dhe 17.8%, përkatësisht, në vitin 2021. Të dhënat zyrtare tregojnë se tregtia e Kinës me BE-në arriti në rreth 828 miliardë dollarë, një rritje prej 27% nga viti në vit. Kina mbeti partneri më i madh tregtar i BE-së në vitin 2021, ndërsa BE-ja ishte partneri i dytë tregtar i Kinës. Me pak fjalë, Kina dhe BE-ja kanë interes të përbashkët në ruajtjen e rendit të globalizimit, multilateralizmit, tregtisë së lirë, investimeve, dhe të gjitha këto janë bazat e rëndësishme për të dyja palët që të punojnë së bashku dhe të ecin përpara. Të dyja palët, kanë krijuar një marrëdhënie të fortë të ndërvarësisë ekonomike përmes dekadave të bashkëpunimit, Evropa ka nevojë për Kinën dhe Kina ka nevojë për Evropën.

 

Çfarë u tha në Pekin?

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me Charles Michel dhe u shpreh se Kina dhe BE-ja janë dy forca kryesore për paqen botërore, dy tregje kryesore për zhvillimin e përbashkët dhe dy qytetërime të mëdha për përparimin njerëzor. Presidenti Xi i shpalosi z. Michel rezultatet kryesore të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së dhe theksoi se mes ndryshimeve të përshpejtuara në botë, kohë dhe histori, të gjitha vendet po mendojnë për rrugën përpara. Ne kemi besimin dhe aftësinë për të injektuar siguri dhe stabilitet të vlefshëm në komunitetin ndërkombëtar përmes stabilitetit të sistemit, qeverisjes, politikave dhe zhvillimit tonë – tha Xi.

Gjatë takimit Xi shprehu katër vëzhgime specifike mbi zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE:

Së pari, është e rëndësishme të mbahet perceptimi i duhur. Nuk ka dallime strategjike apo konflikte me rëndësi thelbësore midis Kinës dhe BE-së dhe palët duhet të ngrihen mbi antagonizmin ideologjik, të kapërcejnë konfrontimin e sistemeve dhe të  hedhin poshtë një luftë të re të ftohtë të çfarëdo forme.

Së dyti, është e rëndësishme të menaxhohen siç duhet dallimet. Kina dhe Evropa ndryshojnë në histori, kulturë, nivel zhvillimi dhe ideologji. Është e natyrshme që të dyja palët të kenë pikëpamje të ndryshme për disa çështje por në të njëjtën kohë, duhet të ruajnë komunikimin dhe koordinimin në mënyrë konstruktive.

Së treti, është e rëndësishme që të ngrihet bashkëpunimi në nivel më të lartë. Nevojiten përpjekje të përbashkëta për të mbajtur zinxhirët industrialë dhe të furnizimit, për të refuzuar praktikat e shkëputjes, dhe proteksionizmit; dhe duhen kundërshtuar përpjekjet për të politizuar shkëmbimet në ekonomi, tregti, shkencë dhe teknologji.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së katërti, është e rëndësishme të forcohet koordinimi dhe bashkëpunimi në çështjet ndërkombëtare. Kina dhe BE-ja, të dyja mbrojtëse të sistemit ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb të tij, mund të punojnë së bashku për të ndjekur multilateralizmin e vërtetë, për t'u përballur me sfidat dhe për të mbrojtur paqen dhe zhvillimin global.

Nga ana e tij, Michel tha se Kina nuk ndjek zgjerimin dhe është një partner i rëndësishëm për mbështetjen e qëllimeve të Kartës së OKB-së dhe mbështetjen e multilateralizmit. Ai tha se BE-ja ndjek autonominë strategjike dhe qëndron e përkushtuar për të ndërtuar kapacitetin e vet dhe për të ecur përpara me integrimin evropian. BE-ja mbështet politikën e një Kine, respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës. BE-ja është e gatshme të bëhet një partner bashkëpunimi i besueshëm dhe i parashikueshëm për Kinën.

Xi dhe Michel shkëmbyen mendime për krizën në Ukrainë. Presidenti Xi shpjegoi pozicionin parimor të Kinës dhe u shpreh se zgjidhja politike e krizës i shërben më së miri interesave të Evropës dhe interesave të përbashkëta të të gjitha vendeve në Euroazi. Ai tha se në rrethanat aktuale, është e rëndësishme të parandalohet një përshkallëzim ose zgjerim i krizës. Kina mbështet BE-në në rritjen e përpjekjeve të ndërmjetësimit dhe do të luajë një rol udhëheqës në ndërtimin e një arkitekture të ekuilibruar, efektive dhe të qëndrueshme të sigurisë në Evropë.

 

Kina dhe BE përballë sfidave globale

Para vizitës së Michel, Presidenit Xi pati takime personalisht me disa liderë nga vendet e BE-së, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, gjatë Samitit të G20 në nëntor. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu vizitoi Kinën në nëntor. Pozicioni i Kinës kundrejt BE-së ka qenë përherë statik dhe i qartë, pozicioni i BE-së kundrejt Kinës ka pasur luhatje.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nuk duhet të habisë fakti që ka dallime në politikën kundrejt Kinës midis vendeve evropiane dhe brenda tyre. Lind kështu nevoja për të rivendosur komunikimin në nivel të lartë dhe duhet përfituar nga kjo vizitë për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për të kuptuar pozicionin e BE-së për një sërë çështjesh, si dhe pozicionin e Kinës. Në këtë ekuacion gjeopolitik janë tre shtyllat kryesore të ndikimit dhe veprimit, një trekëndësh  që përbëhet nga Kina, SHBA-ja dhe BE-ja, dhe BE-ja ka me të vërtetë potencialin për të qenë pikëmbështetja ose pika balancuese.  

Evropianët janë disi të kapur në mes. Të gjithë do të dëshironin të gjenin një ekuilibër që funksionon për ta. Po duket qartë që Bashkimi Evropian nuk dëshiron të zgjedhë mes Kinës dhe SHBA-së dhe me sa duket kjo është një situatë shumë e vështirë brenda unionit për shkak të strukturës së tij. BE-ja, është një entitet i jashtëzakonshëm burokratik dhe tejet e ndërlikuar. Z.Michel, është një ish-kryeministër i Belgjikës, ka sens të thellë politik, dhe duket që në punën e tij është duke u përpjekur të koordinojë dhe afrojë në një linjë liderët e shteteve anëtare. Vizita e tij në Kinë si President i Këshillit Evropian përfaqëson pikëpamjet e 27 anëtarëve, por brenda këtij grupi është shumë e vështirë të arrihet konsensusi. Mangësia e madhe e unionit si institucion është koha që merret për të arritur konsensus mbi një çështje, por në vitin 2022, vendet e BE-së nuk kanë luksin të marrin shumë kohë për shkak të problemeve urgjente në terren, që nga konflikti në Ukrainë deri tek inflacioni marramendës. Evropës i duhet një zgjidhje imediate. Dhe kështu BE-ja, duket se gjithnjë e më shumë po ndjek rrugën e saj në mbështetje të interesave të unionit. Brenda interesave të unionit ky trekëndësh (Kinë-BE-SHBA) po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, dhe BE-ja me takime të tilla të nivelit të lartë me Kinën duket sikur po shkon më shumë drejt një roli ekuilibrues.

Por, në Evropë është e famshme në rreshtat e politikës shprehja: “Nuk ka armiq të përhershëm, nuk ka miq të përhershëm, ka vetëm interesa të përhershme.” Në bazë të këtyre interesave BE-ja po drejtohet nga Kina, duke luajtur midis domethënies simbolike, një mesazh qëndrimi në trekëndëshin  gjeopolitik global dhe interesave strategjike që ia imponon situata, koha dhe nevoja.

 

 

Dr. Marsela Musabelliu