CMG-ja: Bashkëpunimi Kinë-Europë merr rëndësi më të madhe në kushtet e luhatjeve botërore
2022-12-02 15:10:11

VCG

VCG

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime të enjten në Pekin me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel. Gjatë këtyre bisedimeve, Xi paraqiti katër pikëpamje për zhvillimin e marrëdhënieve kino-europiane, duke shprehur shpresën që BE-ja të bëhet partnere e rëndësishme e Kinës në procesin e modernizimit të stilit kinez. Michel u shpreh nga ana e tij që BE-ja është e gatshme të bëhet një partnere e besueshme dhe e parashikueshme e Kinës. Të gjitha këto tregojnë vullnetin aktiv të të dy palëve për nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë- BE.

 

Ky është takimi i parë zyrtar mes liderit më të lartë të Kinës dhe drejtuesve të institucioneve të BE-së pas Kongresit të 20-të të PKK-së. Kjo është gjithashtu vizita e parë e Michel-it në Kinë pas marrjes së postit të presidentit të Këshillit Europian. Në një lajm të publikuar në uebsajtin zyrtar të Këshillit Europian thuhet që, në rrethanat e tensionimit të gjendjes politike dhe ekonomike, kjo vizitë është një “mundësi në kohë” për komunikimin mes BE-së dhe Kinës. Gazeta franceze “Le Figaro” komentoi që vizita e Michel-it ka rëndësi për mënyrën se si mund ta gjejë Europa pozicionin e vet lidhur me Kinën.

 

VCG

VCG

Për disa kohë, në BE kanë dalë disa zëra të ndryshëm mbi çështjet lidhur me Kinën, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Disa politikanë e kanë ekzagjeruar konkurrimin dhe kundërvënien me Kinën, kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe madje kanë promovuar “Luftën e Ftohtë të re” ndaj Kinës në bashkëpunim me palët e tjera. Kjo ka sjellë dëmtim të marrëdhënieve kino-europiane, si edhe të interesave të vetë BE-së.

 

Në bisedimet me kreun e Këshillit Europian, Xi ofroi rrugën e drejtë për marrëdhënie të mira dypalëshe, duke paraqitur katër pikëpamje në këtë drejtim: “njohja e drejtë e njëri-tjetrit”, “kontrollimi siç duhet i divergjencave”, “zhvillimi i bashkëpunimit të nivelit të lartë” dhe “shtimi i bashkëpunimit e koordinimit ndërkombëtar”.

 

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar prej kohësh është gur bazë për marrëdhëniet Kinë-BE, vijon komenti. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2022, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Europës arriti në 711.4 miliardë dollarë amerikanë, 6.3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Kina është partnerja më e madhe tregtare e BE-së dhe BE-ja vazhdon të jetë partnerja e dytë më e madhe tregtare e Kinës. Kina dhe BE-ja kanë formuar një lidhje të fuqishme simbiotike ekonomike.


Në këtë bazë, Kina propozon që të dyja palët të shtojnë koordinimin në politikat makroekonomike, të krijojnë bashkërisht shtysa të reja të rritjes, si ekonomia digjitale, mbrojtja e mjedisit, energjitë e reja dhe inteligjenca artificiale, të kundërshtojnë “shkëputjen e ndërprerjen”, proteksionizmin, si edhe politizimin e ‘armëzimin’ e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare dhe tekniko-shkencore. BE-ja u shpreh që është e gatshme të vazhdojë nxitjen e procesit të Marrëveshjes së Investimeve BE-Kinë, të shtojë besimin te stabiliteti i zinxhirit të furnizimit dhe të thellojë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha të ndryshme. Mund të parashikohet që hapja e vazhdueshme me nivel të lartë e Kinës do të sjellë mundësi të mëdha për Europën, e mbyll komentin e vet CMG-ja. (Jiang Lei)