“Ligji i uljes së inflacionit” i ShBA-së sjell pengesa serioze për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare
2022-12-01 20:37:37


Ditët e fundit u zhvillua në Gjenevë mbledhja zyrtare e Këshillit të Tregtisë së Mallrave pranë OBT-së. Pala kineze shprehu shqetësime serioze mbi masat e shumta diskriminuese dhe shtrembëruese për subvencione tregtare të propozuara në “Ligjin e uljes së inflacionit” të ShBA-së, si edhe masat e politikat e ShBA-së që prishin zinxhirin global industrial dhe atë të furnizimit të industrisë së gjysmëpërçuesve. 

Foto: VCG

Foto: VCG

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shu Jueting tha të enjten në një konferencë shtypi se, në mbledhjen e Këshillit të Tregtisë së Mallrave të OBT-së, që u zhvillua më 24 dhe 25 nëntor, nga një perspektivë profesionale, pala kineze analizoi nen për nen shkeljen e dyshuar të rregullave të OBT-së nga ligji amerikan. “Kina vuri në dukje se ShBA-ja ka penguar seriozisht tregtinë e investimet ndërkombëtare dhe ka prishur qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e furnizimit, duke shprehur shqetësime serioze për standardet e dyfishta dhe sjelljen ngacmuese të ShBA-së lidhur me rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Pala kineze i kërkon palës amerikane të përmbushë detyrimet e saj në mënyrë të rreptë sipas rregullave të OBT-së dhe të ruajë autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh,” u shpreh Shu.

Zëdhënësja theksoi se, aktualisht, globalizimi ekonomik po përballet me prirje prapavajtjeje dhe rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e vështirë. Përballë sfidave globale, Kina është e gatshme të zbatojë me anëtarët e tjerë rezultatet e mbledhjes së 12-të ministrore të OBT-së (MC12), të marrë pjesë thellësisht në negociatat e reformës së OBT-së, të kundërshtojë unilateralizmin e proteksionizmin dhe të nxitë OBT-në që të luajë një rol më të madh dhe të kontribuojë në ruajtjen e qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit dhe në promovimin sa më shpejt të rimëkëmbjes ekonomike botërore. (Li Huailiang/Artan)