Kina nxit përpjekjet kolektive për zgjidhjen e çështjes palestineze
2022-12-01 20:27:35

Një diplomat i lartë kinez bëri thirrje të mërkurën për përpjekje kolektive ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e Palestinës, duke vënë në dukje se ajo është thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme.

Një zgjidhje e gjithanshme dhe e drejtë është me rëndësi kritike për paqen e stabilitetin rajonal, si edhe drejtësinë e barazinë ndërkombëtare, tha Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme mbi çështjen e Palestinës dhe gjendjen në Lindjen e Mesme.

Që nga fillimi i këtij viti, gjendja në territoret e pushtuara palestineze ka vazhduar të jetë e paqëndrueshme dhe rinisja e luftimeve në Gazë ka çuar në qindra viktima civile dhe në dëme të mëdha infrastrukturore, si edhe në një rritje të përleshjeve të dhunshme në Bregun Perëndimor, shtoi ai.

Foto: VCG

Foto: VCG

"Faktet kanë treguar edhe një herë se menaxhimi i pjesshëm i krizës nuk mund të zëvendësojë një zgjidhje të gjithanshme e të drejtë dhe se ndihma ekonomike e humanitare, si një masë e përkohshme, nuk mund të zëvendësojë mangësitë politike dhe të sigurisë," tha Geng. "Ajo çka nevojitet tani, është një vullnet politik i fortë dhe një veprim diplomatik efektiv, si edhe përpjekjet kolektive të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë Këshillin e Sigurimit."

Ai shtoi se Kina i nxit Palestinën dhe Izraelin të ndjekin rrugën e sigurisë së përbashkët.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe një vend i madh i përgjegjshëm, Kina do të vazhdojë të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë dhe për të dhënë ndihmesë aktive në arritjen e një zgjidhjeje të gjithanshme, të drejtë e të gjatë të çëshjtes palestineze dhe të paqes së qëndrueshme, sigurisë universale dhe lulëzimit të përbashkët në Lindjen e Mesme, tha përfaqësuesi i Kinës. (Artan)