Kina mirëpret vizitën e kryediplomatit amerikan për punët pas takimit të liderëve
2022-12-01 20:47:55

Kina e mirëpret vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken për punët pasuese në vijim të takimit të liderëve të të dy vendeve në ishullin indonezian të Balit, u shpreh të enjten në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.

Foto: VCG

Foto: VCG

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha gjatë një interviste se takimi i udhëheqësve të ShBA-së dhe të Kinës në Bali ishte i frytshëm dhe se është shumë e rëndësishme që të dy palët të kenë një komunikim të qartë e të drejtpërdrejtë mbi interesat, qëllimet dhe politikat e njëri-tjetrit. 

Vizita e tij në Kinë do të vijojë këtë komunikim dhe do të sigurojë që të dyja palët të kenë kanale të hapura komunikimi për të shmangur mosmarrëveshjet dhe për të ruajtur bashkëpunimin në çështjet që ndikojnë mbi Kinën, ShBA-në dhe botën. 

Zëdhënësi Zhao Lijian tha se Kina e mirëpret vizitën e kryediplomatit amerikan. Sipas tij, gjatë takimit të presidentit kinez Xi Jinping me homologun e ShBA-së Joe Biden në ishullin Bali të Indonezisë, të dy palët patën komunikim të sinqertë dhe të thellë mbi çështjet kryesore që kanë lidhje me marrëdhëniet kino-amerikane dhe paqen e zhvillimin botëror, çka është konstruktive dhe strategjike. Të dy liderët ranë dakord të forcojnë komunikimin e shkëmbimet dhe të promovojnë bashkëpunimin praktik. Ekipet e të dy palëve duhet të zbatojnë konsensusin e arritur nga të dy liderët, të ruajë komunikimin, të kontrollojnë mosmarrëveshjet dhe të promovojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në përputhje me prioritetet e punës të përcaktuara nga dy udhëheqësit, për t’u dhënë energji pozitive marrëdhënieve dypalëshe, për të instaluar një “valvul sigurie” dhe për t’i sjellë qëndrueshmëri e siguri botës në luhatje.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi më tej se Pekini i trajton dhe i zhvillon marrëdhëniet kino-amerikane mbi bazën e tre parimeve të propozuara nga presidenti Xi, që përfshijnë respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta. Pala kineze shpreson që pala amerikane të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën dhe të përmbushë plotësisht konsensusin e arritur nga të dy liderët. Të dy palët duhet të diskutojnë dhe përcaktojnë bashkërisht parimet udhëzuese ose kuadrin strategjik për marrëdhëniet kino-amerikane, të gjejnë rrugën e duhur të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve dhe të nxitin kthimin e tyre në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, me përfitime për të dyja vendet e botën. (Li Huailiang/Artan)