Xi Jinping-u zhvillon bisedime me presidentin laosian Thongloun Sisoulith
2022-12-01 14:28:09

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën në Pekin me homologun e vet laosian Thongloun Sisoulith.

 

Xi Jinping-u theksoi se Kina do të inkurajojë më shumë ndërmarrje kineze të investojnë në Laos dhe do të mirëpresë më shumë produkte me cilësi të lartë nga Laosi për të hyrë në tregun kinez, për t’i ofruar ndihmë Laosit në zbutjen e vështirësive me të cilat po përballet. Po ashtu, pala kineze do të vazhdojë të zgjerojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me palën laosiane në fusha të tilla si shkenca e teknologjia, arsimi, kultura, turizmi e shëndetësia, si edhe shkëmbimet rinore, duke forcuar marrëdhëniet ndërmjet të dy popujve. Kina është e gatshme të thellojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Laosin në kuadrin e bashkëpunimit Lancang-Mekong e bashkëpunimit Kinë-ASEAN, duke promovuar vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe duke ruajtur së bashku paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe lulëzimin botëror.

 

Nga ana e tij, Thongloun Sisoulith tha se, ndërsa bota po kalon ndryshime komplekse, Kina është shtylla kryesore e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit botëror, duke qenë e përkushtuar për të promovuar zhvillimin e përbashkët të njerëzimit dhe ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

 

Ai e falënderoi Kinën për mbështetjen dhe ndihmën afatgjatë për zhvillimin ekonomik e shoqërore të Laosit. Projektet e rëndësishme të ndihmës nga Kina në Laos kanë ecur mbarë, veçanërisht ndërtimi i hekurudhës Laos-Kinë, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e zhvillimit ekonomik të Laosit. Presidenti i Laosit shprehu shpresën se të dy vendet do të konsolidojnë dhe thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet të dy vendeve, do të forcojnë bashkëpunimin praktik në ekonomi, tregti e investime, do të shtojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe shkëmbimet kulturore ndërmjet dy popujve dhe do të nxisin zhvillimin më të madh të marrëdhënieve dypalëshe.(Zhan Dian/Artan)