Foto nga VCG
Autoritetet kulturore dhe turistike të provincës Yunnan të Kinës jugperëndimore kanë krijuar së fundmi gjashtë rrugë turistike në një përpjekje për të nxitur më tej zhvillimin me cilësi të lartë të turizmit në lidhje me burimet e kafesë. Rrugët mbulojnë shtatë baza kryesore të prodhimit të kafesë në Yunnan, duke përfshirë Baoshan, Pu'er dhe Dali, bën të ditur “Xinhua”.
“Turistët mund të mësojnë për mbledhjen e kokrrave të kafesë, larjen dhe tharjen. Ata madje mund të bluajnë dhe nxjerrin një filxhan kafe me duart e tyre gjatë udhëtimit”,- tha Jiang Daoping, udhërrëfyes i shoqatës turistike të Kunming, kryeqendra e Yunnan.
Me një popullsi të madhe multietnike, Yunnan ka burime të pasura turistike, si peizazhe piktoreske dhe është një zonë e madhe e prodhimit të çajit dhe kafesë në Kinë.
Provinca ka përshpejtuar zhvillimin e integruar të bujqësisë, kulturës dhe turizmit me temë kafenë.
Në vitin 2021, sipërfaqja e plantacioneve të kafesë në provincë arriti në 93.333 hektarë, duke prodhuar mbi 100.000 tonë kafe. Vlera e prodhimit të të gjithë zinxhirit industrial arriti në 31.63 miliardë juanë (rreth 4.4 miliardë dollarë amerikanë). (Elona)