Pekini kundërshton teorinë e “kërcënimit nga Kina”
2022-11-30 21:30:55

Vitet e fundit, ShBA-ja ka trumbetuar vazhdimisht variante të ndryshme të teorisë së ‘kërcënimit nga Kina’, me synimin që të zgjerojë arsenalin e vet të armëve bërthamore dhe të gjejë pretekst për ruajtjen e hegjemonisë ushtarake. Kështu u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian në reagim ndaj raportit të ShBA-së për forcat e armatosura kineze, duke shtuar që të gjitha këto janë metoda të vjetra të palës amerikane që njihen qartë nga e gjithë bota.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi në Pekin, 1 shtator 2022 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi në Pekin, 30 nëntor 2022 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Në raportin e publikuar të martën nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së, thuhet se Kina ka mbi 400 armë me mbushje bërthamore në shërbim dhe kjo shifër pritet të arrijë në rreth 1500 deri në vitin 2035 nëse vazhdon ekspansioni bërthamor.

Lidhur me këtë, zëdhënësi Zhao Lijian u shpreh në një konferencë shtypi të mërkurën se politika bërthamore e Kinës është e qartë dhe konsekuente. “Kina i përmbahet e palëkundur politikës së vetëmbrojtjes bërthamore e të mospërdorimit e para të armëve bërthamore, është treguar shumë e përmbajtur në zhvillimin e forcave bërthamore dhe ruan në nivel minimal këto forca sipas kërkesave të sigurisë kombëtare, duke mos marrë pjesë në asnjë lloj gare armatimi”, tha zëdhënësi.

Zhao Lijian vuri në dukje se, si vendi me arsenalin më të madh bërthamor, vitet e fundit ShBA-ja i ka përshkallëzuar vazhdimisht forcat e veta bërthamore, duke theksuar rolin e armëve bërthamore në politikat kombëtare të sigurisë, duke ngulur këmbë në politikën e “kërcënimit bërthamor” të bazuar në përdorimin e para të armëve bërthamore  dhe duke zhvilluar bashkëpunim për nëndetëset bërthamore me Britaninë dhe Australinë, çka është kundër Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

“Ju propozoj të lexoni serinë e raporteve të publikuara ditët e fundit nga ShBA-ja për të mësuar çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë ShBA-ja për zhvillimin e armëve bërthamore. Ajo që duhet të bëjë pala amerikane, është të rishikojë politikat e veta, të heqë dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe hegjemonisë dhe të ndalojë dëmtimin  e stabilitetit strategjik global, duke mbajtur si duhet përgjegjësinë e saj në çarmatimin bërthamor nëpërmjet pakësimit të ndjeshëm të arsenalit bërthamor, për të krijuar kushte për realizimin e gjithanshëm dhe të plotë të çarmatimit bërthamor”, shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.