Marrëdhëniet Kinë-BE meritojnë më shumë pritshmëri
2022-11-30 21:12:03

Që nga përurimi në korrikun e këtij viti, në urën e Peljeshacit, e ndërtuar nga kompania kineze CRBC, kanë kaluar mbi një milion automjete.

Ura e Peljeshacit(Foto:CMG)

“Janë talenti, njohuritë, përpjekjet dhe guximi i projektuesve dhe ndërtuesve që i kanë dhënë kësaj ure bukuri. Kjo urë po shkëlqen sonte dhe dua t’ju falënderoj për punën tuaj të madhe”, tha presidenti kroat Zoran Milanoviç.

Si shembull i bashkëpunimit trepalësh Kroaci-BE-Kinë, ura e Peljeshacit, që është vepra e parë e ndërtuar nga një kompani kineze me fonde dhe standarde të BE-së, vlerësohet si projekti më i madh i infrastrukturës rrugore në Kroaci.

Ndërkohë, në korrikun e sivjetshëm u përurua edhe pjesa e ndërtuar nga kompania kineze e autostradës Jug-Veri në Mal të Zi. Si autostrada e parë e këtij vendi, ajo do të lidhë Evropën Jugore me Evropën Qendrore.

“Kam pritshmëri të larta për të. Së pari, kjo autostradë mund të ndihmojë në ngritjen e sigurisë së udhëtimit, e cila është shumë e rëndësishme. Në disa dekadat e kaluara, rrugët që lidhnin qendrën dhe jugun e Malit të Zi dhe veriun, si edhe ato që lidhnin Malin e Zi me Serbinë dhe Europën Qendrore, nuk ishin të sigurta dhe udhëtimi rrugor ishte me rreziqe”, tha presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

 Autostrada Jug-Veri në Mal të Zi(Foto:CMG)

Përveç bashkëpunimit në fushën e ndërtimit infrastrukturor, edhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ka pasur zhvillim të vrullshëm. Të dhënat e fundit nga “Eurostati” tregojnë se në tre tremujorët e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së 27 vendeve të BE-së me Kinën ishte 641.2 miliardë euro. Kina vijoi të zinte vendin e partneres më të madhe tregtare, burimit nr. 1 të importit dhe destinacionit të tretë të eksportit të BE-së.

“Vitin e kaluar, biznesi i kompanisë sonë në Kinë u rrit mbi 20 %. Ky është një rezultat i spikatur i Grupit tonë në përmasë botërore”, tha Rong Guang, drejtor i Njësisë së Çështjeve Publike dhe Qeveritare të Grupit “Wilo”.

“Ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë ka mundësi të mëdha bashkëpunimi. Të dy vendet kanë tashmë një bashkëpunim të ngushtë në tregun kinez të automjeteve. Ndërkohë, shumë kompani kineze të automjeteve po investojnë në Europë dhe Gjermani. Jam i mendimit që ende ka mundësi të mëdha për bashkëpunim në këtë fushë. Njëkohësisht, fushat digjitale, sidomos sektori i inteligjencës artificiale, do të bëhen industri kryesore të bashkëpunimit dypalësh në disa dekadat në vijim”, tha Peter Felser, zv.kryetar i Grupit të Miqësisë Gjermani-Kinë të Bundestagut gjerman.

Foto:CMG

Foto:CMG

Më 1 dhjetor, kryetari i Këshillit Europian Charles Mishel do të bëjë një vizitë në Kinë. Ky do të jetë takimi i parë zyrtar midis liderëve kinezë dhe atyre të Brukselit pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së. Analistët vunë në dukje se takimet e nivelit të lartë, si vizita para pak kohe e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Pekin e takimi i presidentit kinez Xi Jinping me homologun francez Emmanuel Macron në samitin e G20-s në Indonezi, kanë një domethënie pozitive për shmangien e ndërhyrjeve nga jashtë dhe zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE. Besohet se vizita e Mishelit do të forcojë konsensusin për të nxitur zhvillimin e vazhdueshëm, të shëndetshëm e të qëndrueshëm të këtyre marrëdhënieve, duke shtuar më shumë faktorë stabiliteti në situatën botërore të ndërlikuar e në luhatje.