Shefi i OKB-së bën thirrje për veprim për të parandaluar katastrofën e armëve biologjike
2022-11-30 15:11:22

Foto: VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për veprim në tri fusha për të parandaluar katastrofën e armëve biologjike, bën të ditur “Xinhua”.

Guterres e bëri thirrjen në një video-mesazh për pjesëmarrësit e Konferencës së Nëntë të Rishikimit të Konventës së Armëve Biologjike në Gjenevë.

Fusha e parë e veprimit, sipas tij, është forcimi i dispozitave të llogaridhënies së konventës për të siguruar që përparimet shkencore të mos shfrytëzohen për qëllime armiqësore. “Le të sigurohemi që shkenca dhe teknologjia të përdoren për të mirën e njerëzimit, jo shkatërrimin e tij, dhe që paqja të mbetet në qendër të të gjithë zhvillimit dhe bashkëpunimit shkencor”, - tha Guterres.

“Së dyti, përditësoni të menduarit për verifikimin dhe pajtueshmërinë për t'iu përshtatur kërcënimeve të sotme. Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë pesë dekadave të fundit. Konventa duhet të ndryshojë me të”,- tha ai.

“Së treti, t'i jepni konventës burimet e shtuara financiare dhe njerëzore që i nevojiten për të kryer këtë punë të rëndësishme”,- tha Guterres.

“Bota mbështet bujarisht regjimet globale kundër armëve kimike dhe përhapjes bërthamore. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për armët biologjike me një rritje të konsiderueshme në buxhetin e konventës. Tani është koha për të mbyllur çdo rrugë për zhvillimin dhe përdorimin e këtyre armëve”,- theksoi shefi i OKB-së.

Pesëdhjetë vjet më parë, kur Konventa e Armëve Biologjike ishte e hapur për nënshkrim, komuniteti global qëndroi si një dhe deklaroi se përdorimi i qëllimshëm i sëmundjes si armë ishte një fyerje për njerëzimin. Konventa afirmon ndërgjegjen e njerëzimit, tha Guterres.

“Pandemia e Covid-19 e gjunjëzoi botën. Tani imagjinoni një lloj sëmundjeje tjetër, një që është projektuar qëllimisht dhe që mund të kalojë edhe më shpejt nëpër popullatën globale. Armët biologjike nuk janë produkt i fantashkencës. Ato janë një rrezik i qartë dhe i pranishëm. Kjo është arsyeja pse forcimi i Konventës së Armëve Biologjike është më i rëndësishëm se kurrë”,- tha ai.  (Elona)