Rrënojat e një shtëpie 5000-vjeçare gjenden në Kinën qendrore
2022-11-30 15:05:54

Foto: Weibo zyrtare e Departamentit Provincial të Henanit të Kulturës dhe Turizmit

Arkeologët kanë gërmuar rrënojat e themeleve të një shtëpie që daton më shumë se 5000 vjet më parë në vendin e gërmimit në fshatin Yangshao në provincën Henan të Kinës qendrore.

Shtëpia dikur ishte një ndërtesë e madhe me mure dheu, që mund të kenë mbuluar më shumë se 130 metra katrorë. Sipas spekulimeve, ajo i përket periudhës së vonë të kulturës Yangshao, tha Li Shiwei nga Instituti Provincial i Henanit i Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë, përgjegjës për vendin e gërmimit, përcjell “Xinhua”.

“Gjetjet mund të ofrojnë materiale të reja për studimin e llojeve, formave dhe teknikave të ndërtimit të shtëpive gjatë periudhës së kulturës Yangshao”,- tha Li.

Arkeologët zbuluan gjithashtu katër llogore artificiale dhe një numër të madh të relikteve kulturore në vend.

Zbulimet tregojnë se vendbanimi në periudhën Yangshao kishte popullsi të madhe, zhvillim të begatë dhe objekte të plota mbrojtëse, tha Li, duke shtuar se ka një rëndësi të madhe për studimin e kompleksitetit dhe procesit të qytetërimit në pellgun e Lumit të Verdhë gjatë periudhës parahistorike.

Në vitin 1921, gërmimi i parë në fshatin Yangshao, provinca Henan, shënoi lindjen e arkeologjisë moderne kineze.

Gërmimi i katërt arkeologjik në zonën e fshatit Yangshao filloi më 22 gusht 2020 dhe është ende në vazhdim. (Elona)