MPJ: Kina do të ndërtojë sistem të hapur ekonomik në nivel më të lartë për të vijuar nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore
2022-11-29 21:18:09

Foto:MPJ

Ekonomia kineze i ka dhënë gjithmonë energji pozitive lulëzimit dhe zhvillimit global, u shpreh të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian në një konferencë të rregullt shtypi.

Wajira, ish-ekonomist në Bankën Botërore, tha në një intervistë se zhvillimi i vazhdueshëm i ekonomisë kineze do t’i sjellë më shumë gjallëri ekonomisë botërore. Sipas tij, Kina qëndron në anën e drejtë të historisë të globalizimit ekonomik dhe beson se zhvillimi me cilësi të lartë i saj ka perspektiva të gjera, të cilat do të sjellin më shumë besim dhe mundësi për rimëkëmbjen ekonomike globale.

Kur iu kërkua të komentonte lidhur me këto deklarata, Zhao Lijian tha se, në dhjetë vjetët e fundit, norma mesatare e rritjes së ekonomisë kineze ka qenë 6.6%, dhe norma mesatare e kontributit të saj në rritjen ekonomike botërore i ka kaluar 30%. Vitin e kaluar, PBB-ja e Kinës zinte 18.5% të vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë botërore dhe tregtia e saj e jashtme arriti në 6.9 trilionë dollarë, duke e renditur atë në mënyrë të vendosur si ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe vendin më të madh tregtar. Përballë situatave komplekse dhe serioze brenda e jashtë vendit, ekonomia e Kinës është e qëndrueshme, dhe bazat e përmirësimit afatgjatë nuk kanë ndryshuar, u shpreh Zhao. Ekonomia kineze i ka dhënë gjithmonë një energji pozitive lulëzimit dhe zhvillimit global.

Zhao Lijian tha se presidenti Xi Jinping vuri në dukje në fjalimin e vet në Mbledhjen e 29-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut se historia ka dëshmuar vazhdimisht se hapja, toleranca, bashkëpunimi dhe përfitimet e përbashkëta janë rruga e duhur për botën. Kina ka qenë gjithmonë propozuese dhe promovuese e ekonomisë së hapur botërore. “Ne promovojmë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të ‘Një brez, një rrugë’, kemi paraqitur nisma të zhvillimit global dhe kemi promovuar zbatimin e këtyre nismave, kemi forcuar lidhjet ekonomike midis vendeve, kemi ndarë rastet e zhvillimit të Kinës dhe kemi vazhduar të ndihmojmë në zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Vazhdueshëm të OKB-së të vitit 2030. Hapja është e vetmja rrugë për zhvillim dhe përparim. Kina do të vazhdojë të zbatojë hapje më të gjerë e më të thellë, t'i përmbahet rrugës së modernizimit të stilit kinez, të ndërtojë një sistem të hapur ekonomik të nivelit më të lartë dhe të vazhdojë t’i japë shtysë rimëkëmbjes së ekonomisë botërore,” u shpreh zëdhënësi. (Çang Çuo)