Li: Marrëdhëniet e qëndrueshme Kinë-Japoni u shërbejnë interesave të të dy vendeve
2022-11-29 18:49:38

Kina dhe Japonia, si ekonomi të mëdha botërore, kanë interesa të përbashkët dhe hapësirë të gjerë bashkëpunimi. Kështu u shpreh kryeministri kinez Li Keqiang në videofjalimin e tij në Dialogun e 8-të të Drejtuesve të Biznesit dhe Ish-Zyrtarëve Qeveritarë të Nivelit të Lartë Kinë-Japoni të hënën.

Li tha se ruajtja e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-japoneze përputhet me interesat e të dy palëve dhe ndihmon për mirëqenien e të dy popujve, si dhe paqen, stabilitetin dhe zhvillimin rajonal e botëror.

Sipas kreut të qeverisë kineze, të dy palët duhet të angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe miqësore, të respektojnë parimet e përcaktuara në katër dokumentet politike Kinë-Japoni, ta shohin zhvillimin e njëri-tjetrit objektivisht e në mënyrë të arsyeshme, ta respektojnë e ta trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, të ruajnë një mjedis paqësor të jashtëm e një mjedis rrethues të qëndrueshëm dhe të realizojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Japonisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.

Kryeministri kinez Li Keqiang mban videofjalim në Dialogun e 8-të të Drejtuesve të Biznesit dhe Ish-Zyrtarëve Qeveritarë të Nivelit të Lartë Kinë-Japoni.

Li u bëri thirrje të dy palëve të shfrytëzojnë plotësisht epërsitë e tyre përplotësuese dhe të vazhdojnë të çojnë përpara bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare sipas nevojave të zhvillimit të tyre.

Kina është e gatshme të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin me Japoninë për ekonominë digjitale, zhvillimin e gjelbër, financat, kujdesin mjekësor dhe kujdesin ndaj të moshuarve, duke i mbajtur të qëndrueshëm dhe të lirshëm zinxhirët e industrisë dhe të furnizimit për të arritur rezultate me përfitime të ndërsjella, u shpreh kreu i qeverisë kineze.

Duke vënë në dukje që hapja është një politikë bazë kombëtare e Kinës, ai shtoi se Kina nuk ka arsye t’i mbyllë dyert e saj dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Li tha se Kina është e angazhuar për një tregti të lirë e të drejtë, duke nxitur një mjedis biznesi të ndërkombëtarizuar, të orientuar nga tregu e të bazuar në ligj dhe duke i trajtuar të gjitha llojet e kompanive në mënyrë të drejtë.

Kina ka qenë gjithmonë një treg i madh për botën dhe një destinacion për investimet e huaja dhe mirëpret kompanitë e të gjitha vendeve, duke përfshirë ato të Japonisë, që të vazhdojnë të zgjerojnë bashkëpunimin me Kinën dhe të gëzojnë mundësitë e zhvillimit të saj, theksoi Li.