I dërguari i posaçëm kinez bën thirrje për siguri të përbashkët mes izraelitëve dhe palestinezëve
2022-11-29 18:56:46


I dërguari i posaçëm kinez bëri thirrje të hënën për përpjekje për të arritur sigurinë e përbashkët ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Izraeli dhe Palestina janë fqinjë dhe siguria e tyre është e ndërvarur dhe e pandashme. Nëse siguria e njërës palë mbështetet në pasigurinë e tjetrës, cikli i dhunës nuk do të ndërpritet dhe kriza e sigurisë s’mund të tejkalohet, tha Zhang Jun, përfaqësuesi i Kinës në OKB.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet t'u kushtojë vëmendje të barabartë shqetësimeve të sigurisë të Palestinës e të Izraelit dhe t’i nxitë të dyja palët të arrijnë konsensus nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, për të arritur sigurinë e përbashkët," tha ai në Këshillin e Sigurimit.

Zhang vuri në dukje që Kina është thellësisht e shqetësuar për përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë në territoret e pushtuara palestineze. Sipas statistikave të OKB-së, 2022-shi është viti më vdekjeprurës për palestinezët në Bregun Perëndimor që nga viti 2005. Kina dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve e fëmijëve, kundërshton përdorimin e tepruar të forcës nga forcat e sigurisë dhe bën thirrje për hetimin e dhunës dhe ndëshkimin e autorëve, tha ai.

Sipas të dërguarit kinez, përmirësimi i gjendjes humanitare dhe ekonomike të Palestinës është urgjentisht i nevojshëm.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të lehtësojë kufizimet mbi lëvizjen e njerëzve dhe materialeve humanitare e të rindërtimit brenda e jashtë Rripit të Gazës, të heqë bllokadën ndaj Gazës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të krijojë kushte efektive për zhvillimin e komuniteteve palestineze në Bregu Perëndimor”, tha ai.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë ndihmë nëpërmjet kanaleve të shumta për ta ndihmuar Palestinën të zbutë krizën e vet financiare, të sigurojë shërbimet publike, të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësojë jetën e njerëzve, tha Zhang.

Zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve që zaptojnë tokën palestineze, harxhojnë burimet palestineze dhe shkelin të drejtën e Palestinës për vetëvendosje, e kanë bërë një shtet palestinez me territor të pandërprerë, të pavarur e sovran edhe më të paarritshëm. Kina i kërkon Izraelit të ndërpresë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve dhe të kthehet në rrugën e duhur të zgjidhjes me dy shtete, tha ai. (Çang Çuo)