Li: Kina do të forcojë bashkëpunimin dypalësh ekonomik-tregtar me Mongolinë
2022-11-29 12:39:12

Kina është e gatshme të punojë me Mongolinë për të përmirësuar bashkëpunimin dypalësh ekonomik e tregtar, për të forcuar bashkëpunimin në ndërtimin e infrastrukturës, industrinë e qymyrgurit e zhvillimin e energjive të tjera dhe për të mbrojtur së bashku sigurinë energjetike dhe furnizimin e qëndrueshëm, tha të hënën kryeministri kinez Li Keqiang.

Gjatë takimit me presidentin e Mongolisë Ukhnaagiin Khurelsuh në Pekin, Li Keqiang-u theksoi gjithashtu se bashkëpunimi dypalësh jo vetëm nxit stabilitetin dhe zhvillimin rajonal, por edhe kontribuon për paqen botërore.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina do të nxisë aktivisht bashkëpunimin në fushat e kalimit kufitar e të ndërlidhjes hekurudhore dhe shpreson se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër shkretëtirëzimit dhe në përballimin e ndryshimit të klimës, shtoi Li.

Sipas tij, si vende fqinje mike, Kina e Mongolia "gëzojnë kushte unike për zhvillimin e bashkëpunimit miqësor dhe kanë epërsi të veçanta përplotësuese në shumë aspekte."

Kina u ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe marrëdhënieve me Mongolinë dhe i ka vendosur lidhjet dypalëshe në një pozitë të rëndësishme në diplomacinë e vet të fqinjësisë, tha kryeministri kinez, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të forcojë shkëmbimet e nivelit të lartë me Mongolinë, duke respektuar interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe duke forcuar ndërthurjen e strategjive të zhvillimit.

Kina do të thellojë gjithashtu bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha të ndryshme dhe do të shtojë komunikimin e koordinimin në çështjet rajonale e ndërkombëtare, për t’i ngritur bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe në një lartësi të re, theksoi Li.

Nga ana e tij, Khurelsukh tha se Mongolia është e gatshme të punojë me Kinën për të thelluar bashkëpunimin në fushat infrastrukturore e energjetike dhe në parandalimin e kontrollin e shkretëtirëzimit.

Ai shtoi gjithashtu se Mongolia dëshiron të nxitë lehtësimin e logjistikës e të transportit dhe të përmirësojë procedurat e zhdoganimit në pikat kufitare, duke bërë përpjekje të përbashkëta për ta ngritur partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh në një lartësi të re.

"Mongolia dhe Kina janë fqinje të mira, mike të mira dhe partnere të mira," theksoi kreu i shtetit i Mongolisë.

Mongolia është e angazhuar për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë afatgjata, të qëndrueshme e miqësore me Kinën dhe është e gatshme të përmirësojë ndërthurjen e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve dhe të punojë për përmirësimin e tregtisë dypalëshe, tha Khurelsukh. (Artan)