Moti i ftohtë godet Kinën
2022-11-28 12:56:31

Foto: VCG

Një front i ftohtë po godet pjesën më të madhe të Kinës prej së shtunës dhe pritet të vazhdojë deri të mërkurën, duke sjellë temperatura të ulëta dhe reshje dëbore, bëri të ditur Qendra Kombëtare Meteorologjike (NMC) e Kinës, njofton “CGTN”.

Fronti i ftohtë po godet zonat provinciale duke përfshirë Xinjiang, Gansu dhe Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme. Temperaturat në këto rajone do të ulen me 20 gradë celsius dhe vala e ftohtë do të sjellë temperatura dukshëm më të ulëta se në vitet e mëparshme, sipas NMC. Fronti i ftohtë do të ndikojë edhe në zonat jugore dhe do të bëjë që temperatura e disa rajoneve të bjerë në pothuajse 0 gradë celsius.

Për shkak të ndikimit të frontit të ftohtë, NMC nxori paralajmërimin e verdhë të dielën. Kina ka një sistem paralajmërimi të motit me katër nivele, të koduar me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson motin më të ashpër, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja.

Sipas qendrës, temperatura më e ulët në veri të vendit mund të ndodhë mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa jugu do të arrijë temperaturën më të ulët rreth datës 2 dhjetor.

Meqenëse fronti i ftohtë do të sjellë jo vetëm një rënie të temperaturës, por edhe reshje të dendura bore dhe akull, furnizuesit e energjisë dhe autoritetet bujqësore në Kinën veriore kanë rritur inspektimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit, si dhe prodhimin e perimeve për të siguruar furnizimin normal ditor. (Fatosi)