Biznesmeni arab Alabbar: Në Durrës do të bëhet më e mira e të mirave
2022-11-28 12:29:31

Foto: ATSH

Biznesmeni dhe sipërmarrësi global i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties” e zhvilluesi i “Burj Khalifa”, “Dubai Marina” dhe “Dubai Mall”, ka deklaruar se në Durrës do të bëhet më e mira e të mirave në realizimin e projektit “Durrës Yachts and Marina”, shkruan “ATSH”.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka postuar në rrjete sociale një videomesazh nga investitori në Portin e Durrësit, Mohamed Alabbar.

“Mendojmë se në Durrës do të bëhet më e mira e të mirave. Atëherë, mund t’ia nis nga një nivel i jashtëzakonshëm për të krijuar një jetë mahnitëse”, shprehet Alabbar.

Projekti “Durrës Yachts and Marina”, është modeluar si një ndër qytetet e reja më të qëndrueshme, që bashkon praktikat miqësore ndaj mjedisit, hapësirat e gjelbra dhe teknologjinë inteligjente për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e dyoksidit të karbonit.

Porti do të akomodojë jahte dhe superjahte deri në 120 metra, së bashku me hotele, rezidenca private, shëtitore, dyqane, restorante dhe hapësira argëtuese.

Ai do të përfshijë dhe terminalin e parë në Shqipëri për linjat ndërkombëtare të lundrimit.

Gjithçka do të ndërtohet në mbi 80.000 metra katrorë parqe dhe hapësira të lira, së bashku me 170 dyqane.  (Fatosi)