Dua Lipa merr shtetësinë shqiptare
2022-11-28 13:02:31

 Foto: Facebook Presidenca shqiptare

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa mori shtetësinë shqiptare, njofton “RTSH”.

Shtetësia shqiptare iu dorëzua nga presidenti Bajram Begaj, i cili priti artisten ndërkombëtare dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.

“Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë. Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”,- bëri të ditur presidenti Begaj.

Dua Lipa numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime “Grammy”.

Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit. (Fatosi)