Krijohen 700 skuadra sportive në shkolla, pajisen me uniformat e reja
2022-11-26 15:46:58

Skuadrat sportive (Foto Facebook kryeministri Edi Rama)

Skuadrat sportive (Foto Facebook kryeministri Edi Rama)

Në çdo shkollë të Shqipërisë janë formuar rreth 700 ekipe sportive, të cilat po marrin çantat e uniformave të reja për kampionatet që nisin së shpejti.

Njoftimi është dhënë përmes rrjeteve sociale nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të projektit të Federatës Shqiptare të Futbollit “Uniforma ime”, që synon të masivizojë sportin te moshat e reja në të gjithë territorin e vendit.

Procesi i shpërndarjes së uniformave ka nisur tashmë dhe të gjitha klubet dhe akademitë po e tërheqin bazën materiale në bashkëpunim me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, bën të ditur “ATSH”.

Kjo iniciativë konsiston në ofrimin e një seti me bazë materiale falas për çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet, pa shpenzuar asnjë qindarkë.

Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Përveç investimeve në infrastrukturën sportive, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka punuar po ashtu edhe për të rritur numrin e orëve të edukimit fizik, ndërkohë që mësuesit e fizkulturës janë profesionistë të profilit. Vetëm këtë vit është dyfishuar numri i klasave sportive. (Irma)