Ministria kineze e Mbrojtjes: Tajvani i përket Kinës
2022-11-24 20:33:52

foto: MMK

"Tajvani i përket Kinës dhe është një pjesë e shenjtë dhe e pandashme e territorit të saj," theksoi në një konferencë shtypi të enjten pasdite drejtori i Zyrës së Informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës dhe zëdhënësi i kësaj ministrie Wu Qian.

Ai i tha këto kur iu kërkua të komentonte mbi raportet se Komisioni i Shqyrtimit Ekonomik dhe të Sigurisë ShBA-Kinë i Kongresit amerikan publikoi së fundmi një raport vjetor, duke sugjeruar vlerësimin e mënyrave për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit dhe për të rritur aftësinë e ShBA-së për të përballuar sulmet nga pjesa kontinentale e Kinës.

Sipas zëdhënësit, Kina kundërshton me vendosmëri lidhjet ushtarake ShBA-Tajvan dhe shitjet e armëve amerikane Tajvanit. Më 14 nëntor, kur u takuan krerët e shteteve të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, presidenti i ShBA-së Joe Biden ritheksoi se ai nuk e mbështet "pavarësinë e Tajvanit", nuk mbështet as "dy Kina" ose "një Kinë, një Tajvan", dhe nuk ka asnjë synim për të hyrë në konflikt me Kinën. “Shpresojmë që pala amerikane do ta zbatojë këtë deklaratë politike dhe do t'u përmbahet parimit  të ‘Një Kinë’ dhe dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, në mënyrë që të mos dëmtojë më tej interesat e përbashkëta të të dy vendeve,” tha ai.

Wu Qian shtoi që duhet theksuar se Tajvani i përket Kinës dhe është një pjesë e shenjtë dhe e patjetërsueshme e territorit kinez. Çdo përpjekje për të forcuar lidhjet ushtarake ndërmjet ShBA-së e Tajvanit është një akt i gabuar i ndërhyrjes në punët e brendshme të Kinës dhe shkelje e angazhimeve të ShBA-së. “Çdo përpjekje për ta frenuar Kinën duke armatosur Tajvanin nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr me sy hapur dhe do të dështojë para ‘murit të madh të çeliktë’ të Ushtrisë Popullore Çlirimtare,” theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Wu Qian. (Zhan Dian/Artan)